Elmazi: Shënova gol, por më shumë do preferoja pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2013 | 13:37

Elmazi: Shënova gol, por më shumë do preferoja pikët

Elmazi i PogradecitTomori humbi në Korçë, por shija e vetme që ka mbetur nga kjo ndeshje është ajo e golit të parë të sfidës, i shënuar nga Spartak Elmazi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, vetë mesfushori pogradecar shpjegon emocionet për golin e parë me fanellën e Tomorit, si edhe vështirësitë për t’u përballur me një kundërshtar si Skënderbeu. “Ishte një nga ato ndeshje me shkallë të lartë vështirësie, sepse e dinim që luanim kundër kampionëve në fuqi dhe njëkohësisht skuadrës që është shumë pranë një titulli të tretë kampion radhazi, si Skënderbeu. Korçarët vinin me dëshirën për të vijuar vargun e fitoreve, ndërsa synimi ynë i vetëm ishte që të paraqiteshim denjësisht. Por fatkeqësisht për ne surpriza zgjati vetëm pak minuta, sepse porsa gjetëm golin e parë u barazuam dhe më pas e pamë veten në disavantazh shumë shpejt. Mirëpo ajo që më gëzoi në aspektin personal ishte goli i shënuar, edhe pse e di që tani ai vlen vetëm sa për statistikë për mua si një tjetër golashënues i skuadrës. Shënova dhe në momentin e parë mendova që surpriza do të funksiononte vërtet, por me kalimin e minutave Skënderbeu tregoi potencialin që zotëron, ndërsa ne nuk e kishim më fuqinë e duhur për t’iu përgjigjur. Por duhet të shpreh kënaqësinë time për këtë gol të shënuar, të cilin sigurisht dua t’ia dedikoj tifozerisë beratase që gjithmonë ka besuar tek aftësitë e mia dhe më ka mbështetur. E prisja prej kohësh këtë gol dhe ta shënoja në Korçë, duke kaluar në avantazh kundra Skënderbeut, ishte vërtet e bukur. Tashmë duhet të shohim nga ndeshjet e radhës, duke filluar nga Kukësi. Një ekip i mirë dhe që ka surprizuar, mirëpo ne shpresojmë në një rezultat pozitiv. Ajo çfarë do të na e vështirësojë akoma më shumë situatën në prag të kësaj ndeshjeje janë mungesat. Megjithatë nuk duhet të dorëzohemi, thjesht të zbresim në fushë dhe të luajmë futboll”, – përfundoi Elmazi.

Sharavolli, gol dhe asist me Shpresat U-19
Një nga talentet më të mira të shkollës beratase, sulmuesi Genald Sharavolli, pjesë e Tomorit U-19, ka arritur të sigurojë grumbullimin dyditor të trajnerit Foto Strakosha. Në këtë “zbor” ai ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist për gol. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai është shprehur: “Jam i lumtur për grumbullimin me U-19 dhe besoj se kam bërë një paraqitje të mirë. Këtë grumbullim e shoh si një vlerësim për punën e madhe që kam bërë dhe po bëj. Tani jam në pritje të një ftese nga tekniku Strakosha për sfidën e 14 prillit kundër Italisë, e cila do të ishte një arritje e madhe për mua, dhe sigurisht që sa më shpejt të bëhem pjesë e skuadrës së parë të Tomorit”.
Elton Çela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"