Eller më në fund në fushë për Egnatian: Me Laçin kthehemi te pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2021 | 21:17

Eller më në fund në fushë për Egnatian: Me Laçin kthehemi te pikët

Këtë fundjavë Egnatia do të presë në fushën e saj Laçin. Rrogozhinasit kthehen në shtëpi pas dy javësh, gjatë të cilave skuadra e trajnerit Ramadani është mundur në dy transfertat e luajtura. Në javët e fundit kanë zbritur në fushë lojtarë të cilët janë më në formë, përveç Agbekpornusë që po riaftësohet, si dhe Pedros, që së fundmi është njohur me dëmtimin që ka.

eller egnatia

Repartet kanë nisur të plotësohen me titullarë që janë kthyer nga dëmtimet, siç është rasti i brazilianit Eller. Stafi po mendon që dhe ndaj Laçit të bëjë ndryshime të vogla të cilat mund të jenë efikase. Për “Panorama Sport” braziliani Guilherme Eller pohoi me bindje se ka ardhur koha që Egnatia ti rikthehen rezultateve pozitive.

“Jemi duke u stërvitur në drejtimin e trajnerit e stafit për përballjen me Laçin, që e presim në stadiumin tonë. Presidenti dhe drejtuesit na kanë kërkuar që të reagojmë pas momentit jo të mirë që po kalojmë. Me të tre kundërshtarët që kemi luajtur kemi dalë pa pikë dhe duke pasur edhe fatin kundër. S’e meritojmë që të renditemi në atë vend ku ndodhemi aktualisht. Futbolli ka momente të mira, por edhe ndonjë moment që të prish planet tërësisht.

Ne jemi të bashkuar kurdoherë që arrijmë çdo parashikim si ekip dhe individë. Shpresoj shumë që ndaj Laçit të shprehemi më mirë në lojën tonë. Shumë nga shokët kanë luajtur më parë në Superiore dhe e dinë se si dilet nga kriza e rezultateve. Është analizuar me detaje forma jo e mirë, veçanërisht dy transfertat me kundërshtarë që i kemi afër në renditje. Personalisht ndihem mirë që u riktheva të luaj si më parë pas kalimit të dëmtimit që më mbajti jashtë një periudhë të gjatë. E bëra debutimin e shumëpritur në Superiore atëherë kur nuk ndjeva asnjë shqetësim. Mundohem që të jap maksimumin tim në mesfushë dhe t’u shërbej shokëve me asiste. Minutat e deritanishme i kam vlerësuar shumë. Unë mendoj se Egnatia do t’i arrijë objektivat që janë vendosur”, u shpreh mesfushori Eller.

ALDO BUZIv – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"