“Elita një mirazh”/ Presidenti i Besës i dorëzuar për “play off”-in: Po piketojmë afrimet, ekipit i duhet një stadium

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2022 | 17:31

“Elita një mirazh”/ Presidenti i Besës i dorëzuar për “play off”-in: Po piketojmë afrimet, ekipit i duhet një stadium

Kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundi i Kategorisë së Parë, te Besa janë të dorëzuar. Përtej shansit që kanë për të kapur vendin e 6-të dhe rrjedhimisht “play off”-in, presidenti këtë sezon e quan të dështuar. Gjatë një prononcimi të dhënë enkas për “Panorama Sport”, Nexhat Bizhdili analizon ecurinë e deritanishme dhe radhit shkaqet që çuan ekipin në këtë pikë.

Bizhdili-2

Ai këmbëngul se mungesa e stadiumit “Besa” ka qenë elementi kryesor që ka ndikuar në gjithë këtë paraqitje.

“Të gjithë pranuan në shtator se me këtë përbërje lojtarësh që unë afrova, Besa mbetej pretendenti kryesor për Superioren. Për më tepër që mbi 12 futbollistë jabanxhinj kishin të gjitha kushtet e akomodimit, fjetje e ushqim të siguruar nga klubi. Fundja, kjo është detyra e një presidenti.

Pastaj ekipi gabon rrugës jo një herë, por disa herë, dhe ai mbetet faj kolektiv. Gjithsesi, unë besoj se kundërshtari më i madh i Besës ka qenë mungesa e stadiumit. Të luash jashtë qytetit tënd nuk është aspak e lehtë, komode dhe motivuese.

Shikoni Kukësin, Teutën, Kastriotin e të tjera ekipe, për të kuptuar se sa ndikim ka stadium yt në një garë. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi asnjë përgjegjësi edhe ne drejtuesit. Secili ka pjesën e tij të fajit në këtë dështim sezonal”, tha fillimisht numri një i klubit.

MERKATO
E ndërsa kampionatit i kanë mbetur edhe pak javë dhe Besa ka dalë jashtë çdo pretendimi, çfarë po bën Nexhat Bizhdili? Edhe pse duket herët, ai ka nisur që tani të piketojë lojtarët që do t’i duhen për vitin tjetër.

“Tashmë që jemi jashtë objektivave, unë kam ndjekur e po ndjek paraqitjet e disa futbollistëve në ekipe të tjera. Kuptohet se një pjesë e mirë e grupit aktual do të mbetet, por preferoj që futbollistët që do afroj, t’i shoh gjatë garës dhe jo vetëm në 1 apo dy ndeshje.

Pa dashur të citoj emrat që po vëzhgoj, vetëm mund t’ju saktësoj se preferoj të afroj futbollistë 20- 22-vjeçarë, të rinj të talentuar e që kërkojnë të rriten në karrierë.

Besa ta jep këtë mundësi. Nuk po citoj emra, por janë shumë futbollistë që nga Besa janë katapultuar në Superiore, duke luajtur madje në formacionet bazë. Te Besa mëson më mirë e praktikon më mirë se kudo futbollin e lartë dhe me perspektivë.

Janë dhjetëra prindër, trajnerë, skautë, që çdo fillim sezoni vërshojnë te Besa çdo muaj korrik, por siç thashë më lart, preferoj që bashkë me stafin, disa futbollistë t’i vëzhgojmë vetë”, theksoi numri një i klubit.

STADIUMI
U bënë 47 vite që në stadiumin “Besa” nuk vihet dorë. Askush nuk po kujtohet për Kavajën e futbollit, ndaj është vetë presidenti që “lutet” të vihet dorë.

“S’kam çfarë t’ju them më shumë për momentin, veçse i kam kërkuar Bubeqit të fitojë ndaj Tërbunit dhe të aktivizojë sa më shumë futbollistë të rinj në javët e mbetura si test për ta parë se kush ia vlen të qëndrojë në ekip sezonin e ardhshëm.

Ajo që shpresoj të ndodhë, është të nisë sa më parë ndërtimi i stadiumit ‘Besa’, pasi besoj se më në fund ka ardhur radha e Kavajës. Ju kujtoj se që nga viti 1975, kur ai u inaugurua, ka pasur vetëm riparime, asgjë tjetër.

Me një stadium të ri, gjërat bëhen më lehtë dhe kthimi i Besës në Superiore bëhet më i domosdoshëm dhe i shpejtë. Pse jo, që sezonin e ardhshëm, nëse punimet në stadium nisin”, përfundoi Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"