Firmosin Bakaj dhe Progni, rinovon edhe mesfushori Sabien Lilaj për Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2014 | 9:17

Firmosin Bakaj dhe Progni, rinovon edhe mesfushori Sabien Lilaj për Skënderbeun

Bakaj dhe TakajElis Bakaj është zyrtarisht një futbollist i Skënderbeut. Marrëveshja përfundimtare është arritur dje pas një takimi mes presidentit të korçarëve, Ardjan Takaj dhe vetë lojtarit, pasi më parë kishin pasur edhe disa bisedime të tjera paraprake. Bakaj ka firmosur me Skënderbeun, ndërkohë që në ditën e parë të grumbullimit ka munguar. Burime pranë klubit dhe vetë mesfushorit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se ai ka hedhur firmën në kontratën që e lidh me Skënderbeun vetëm për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Por, nuk përjashtohet mundësia që Bakaj të luajë në Korçë për të gjithë sezonin. E gjitha kjo varet nga ofertat që do të ketë futbollisti nga jashtë Shqipërisë. Në rast se nuk ka asgjë konkrete për një kalim të mundshëm të Bakajt në një klub jashtë vendit, mesfushori do ta mbyllë sezonin si bardhekuq. Ndërkaq, pritet që 26-vjeçari të bashkohet sot në stërvitje me Skënderbeun, teksa dje ka qenë dita e parë e grumbullimit, Bakaj nuk ishte prezent. Nga ana tjetër, të gjithë blerjet e reja të Skënderbeut kanë qenë të pranishëm duke nisur nga Fation Sefa, Bernard Berisha, Bajram Jashanica, Ovboka Agboi dhe Tefik Osmani. Pritet tashmë për zhvillime të reja. Ndërkaq, Gjergji Muzaka nuk do të jetë në grumbullimin e ekipit dhe duket se ai ka shkëputur bashkëpunimin me Skënderbeun.
Takaj Por, duket se skuadra ende nuk e ka mbyllur merkaton për sa u përket afrimeve. Pas goditjes “Bakaj”, presidenti ka premtuar emra të tjerë që do të afrohen te korçarët. Pritet që gjithçka të mbyllet në dy ditët e ardhshme dhe deri ditën e nisjes për në Austri, skuadra do të afrojë edhe dy lojtarë të tjerë. “Bakaj natyrisht që nuk ka nevojë për prezantim pasi është një futbollist i madh me të cilin kemi formuar një grup më të fortë. Natyrisht që eksperienca që ka pasur jashtë e tregon fare mirë se çfarë kualitetesh ka ky lojtar. Tani jemi duke menduar për dy goditje të tjera. Do të jenë sërish dy emra të mëdhenj që do të afrohen te Skënderbeu, por për ta duhet të keni pak durim. Gjithçka do të bëhet e ditur nesër (sot)”, shprehet fillimisht Takaj në prononcimin e tij. Më pas, kreu i klubit vazhdon të thotë: “Jemi duke krijuar një ekip të madh, natyrisht më të madhin e këtyre viteve. Kërkojmë që të lëmë gjurmë kudo dhe mbi të gjitha në Europë. Por, duhet të kemi pak fat. Do të formojmë një Skënderbe europian”, thekson Takaj që më pas komenton edhe akordin me Andi Ribajn. “Andi Ribaj u stërvit sot (dje) me ekipin dhe do të jetë lojtari ynë edhe për një vit. Tashmë presim rikthimin e lojtarëve të tjerë, Ademir, Orelesi, Radas dhe Pejiç dhe së bashku me dy blerjet e tjera që do të bëjmë një ekip shumë të kompletuar në të gjitha anët”, përfundon prononcimin e tij Takaj për “Panorama Sport”. Synimi i klubit korçar është që të bëjë një paraqitje të mirë në Ligën e Kampioneve.

Bakaj dështoi të luante me Kukësin
Tre muaj përpara se të përfundonte kampionati i kaluar, Elis Bakaj u rikthye në Shqipëri, pasi në Ukrainë ku aktivizohej me Çernomorets Odesa u ndërpre kampionati për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në atë vend. Ai arriti akordin me Kukësin dhe do të luante me këtë ekip deri në përfundim të kampionatit. Por, mesfushori nuk arriti të luante asnjë takim me kuksianët, pasi UEFA nuk e lejoi një gjë të tillë. Në këtë mënyrë, Bakaj gjatë kësaj periudhe vetëm ka zhvilluar stërvitje. Nga dje ai është pjesë e Skënderbeut dhe ka firmosur për të luajtur me korçarët në Ligën e Kampioneve. Më pas, do të shihet nëse do të gjejë akordin për të luajtur edhe gjatë kampionatit apo jo.

Takaj dhe ProgniProgni firmos për Skënderbeun, rinovon edhe Lilaj
Pas afrimit të Elis Bakajt një ditë më parë, dje ka ardhur edhe goditja e radhës te Skënderbeu. Bëhet fjalë për Gerhard Prognin. Mesfushori ka firmosur dje zyrtarisht kontratën me presidentin Takaj dhe sezonin e ardhshëm do të vishet bardhekuq. Ai është gjithashtu në listën e futbollistëve që do të nisen sot drejt Austrisë për fazën përgatitore. Mësohet se 27-vjeçari ka nënshkruar kontratë 1-vjeçare. Progni ishte pjesë e Kukësit gjatë sezonit të kaluar, në një kohë që tashmë fuqizohet edhe më shumë mesfusha e korçarëve me këtë afrim. Ndërkaq, edhe një tjetër futbollist i Skënderbeut që u shpall kampion në kampionatin e kaluar ka rinovuar me korçarët. Bëhet fjalë për mesfushorin Sabien Lilaj. Lojtari ka nënshkruar kontratën me presidentin Ardjan Takaj që e mban edhe për një tjetër vit në Korçë. Por, në kontratë ka një klauzolë, në të cilën thuhet se Lilaj mund të largohet vetëm në rastin kur ka një ofertë nga jashtë. Futbollisti iu bashkua dje skuadrës së Skënderbeut në kompleksin “Tropikal” në Durrës.
Austria Korçarët u nisën të mërkurën drejt Austrisë, ku do të zhvillojnë fazën përgatitore për të qenë gati për Ligën e Kampioneve. Zyrtarisht, këta do të jenë futbollistët e Skënderbeut për Kupat e Europës: Shehi, Llapanji, Ademir, Sahiti, Radas (?), Osmani, Jashanica, Arapi, Dimo, Abazi, Berisha, Orelesi, Okboy, Nimaga, Shkembi, Lilaj, Alikaj, Progni, Sefa, Ribaj, Bakaj, Pejiç (?) dhe Tahirllari. Dy kroatët, Pero Pejic dhe Rads kanë thënë se nuk bashkohen me skuadrën pa iu shlyer edhe 15 mijë euro, të cilat pretendojnë se nuk i kanë marrë nga klubi kampion. Përsa i përket opsionit “Kristi Vangjeli”, ai e ka të hapur derën te Skënderbeu, por ish-mbrojtësi i kombëtares pretendon një ekip të rëndësishëm jashtë Shqipërisë. Nëse nuk gjen një ekip të mirë në Europë, do të vishet bardhekuq.

Ribaj, edhe një sezon në Korçë
Sulmuesi Andi Ribaj do të luajë edhe një sezon tjetër me Skënderbeun. Sulmuesi, i cili kishte kërkuar rritje rroge për të qenë sërish pjesë e bardhekuqve, duket se nuk ia ka arritur qëllimit. Pavarësisht se klubi nuk ia plotësoi dëshirën, lojtari fierak vendosi që të qëndrojë edhe për një vit tjetër me korçarët. Ribaj ka diskutuar me presidentin Takaj dhe kanë arritur marrëveshjen, në një kohë që futbollisti ka dalë dje në stërvitje. Qëndrimin e lojtarit e konfirmon edhe vetë kreu i klubit, Takaj, i cili thotë: “Andi Ribaj u stërvit sot (dje) me ekipin dhe do të jetë lojtari ynë edhe për një vit. Tashmë presim rikthimin e lojtarëve të tjerë”.

Champions, shorti hidhet më 23 qershor
Korçarët do ta nisin aventurën në Europë nga turi i dytë paraeliminator i Ligës së Kampioneve. Kundërshtarët e mundshëm të Skënderbeut do të jenë klube si Steaua Bukuresht (Rumani), Sëlltik (Skoci), Bate Borisov (Bjellorusi), Sparta Pragë (Çeki), Dinamo Zagreb (Kroaci), Ludogorets (Bullgari), Makabai Tel Aviv (Izrael), Sherrif Tiraspol (Moldavi), Maribor (Slloveni), Legia Varshavë (Poloni), Partizani i Beogradit (Serbi), Debreceni (Hungari), Slovan Bratislava (Sllovaki), Aktobe (Kazakistan), Ventsplis (Letoni) dhe Karabak (Azerbajxhan). Shorti për turet paraeliminatore do të hidhet më 23 qershor në Zvicër. Ndeshjet e turit të dytë të Champions-it do të luhen më 15 dhe 23 korrik. Takimet e turit të parë të Ligës së Europës (Kukësi, Flamurtari dhe Laçi) do të luhen më 3 dhe 10 korrik, ndërsa të turit të dytë më 17 dhe 24 korrik.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"