Elis Bakaj firmos për Kukësin. Fantazisti: S’pata ofertë, nuk e tradhtova Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2014 | 12:22

Elis Bakaj firmos për Kukësin. Fantazisti: S’pata ofertë, nuk e tradhtova Partizanin

BakajElis Bakaj është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Lajmin e mbërritjes së tij e ka konfirmuar vetë kreu i klubit verilindor, Safet Gjici. Presidenti Gjici, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, prej kohësh ka ngulmuar që ta ketë mesfushorin e Kombëtares në ekipin e tij. Bakaj dhe i ati janë takuar dje me presidentin Gjicin dhe kanë rënë dakord që ai të firmosë për Kukësin deri në fund të këtij sezoni, si dhe të luajë në Kupat e Europës nëse skuadra e arrin këtë objektiv në fund të edicionit. Pra, kështu mbetet hapur një shteg për një bashkëpunim më afatgjatë. Nuk ka shifër të saktë, por thuhet se lojtari do të përfitojë një shumë rreth 40 mijë euro. Presidenti Gjici pret që Bakaj shumë shpejt të aktivizohet me ekipin e tij. “Sapo kemi marrë Elis Bakajn, një emër të njohur të futbollit shqiptar. Kjo tregon se ne nuk reshtim asnjë ditë për të bërë një ekip të fortë dhe dinjitoz për tituj dhe përfaqësim pozitiv në Europë. Shpresojmë që, edhe në bazë të rregullores së UEFAs, kur një lojtar mbetet pa ekip jo për shkakun e tij, ai lejohet të luajë në çdo klub të ri që zgjedh. Ne presim që ta aktivizojmë Bakajn në ndeshjen me Tiranën në fundjavë. Pres që ai t’i japë impuls të ri ekipit dhe të harmonizohet sa më shpejt dhe sa më mirë me pjesën tjetër të grupit”, – deklaroi presidenti Safet Gjici. Elis Bakaj është shpallur kampion me Dinamon dhe më pas ka qenë pjesë e Dinamos së Bukureshtit e së fundmi në Ukrainë te Çernomorets Odesa. Për shkak të trazirave që kanë përfshirë së fundmi Ukrainën, aktivitetet futbollistike u ndërprenë dhe skuadrat lanë të lirë shumë lojtarë, kryesisht të huajt. Kështu që Elis Bakaj e ka mbyllur aventurën te Çernomorets dhe tani konsiderohet lojtar i lirë. Prej ditësh Bakaj ka mbërritur në Shqipëri si lojtar i lirë, ku edhe nisi bisedimet për të vijuar pjesën e mbetur të sezonit te një klub i Superiores, ku ishte edhe Kukësi, me të cilin ka firmosur dje. Një dorë të fortë në afrimin e Bakajt te Kukësi ka dhënë edhe drejtori teknik, Edmond Gëzdari, i cili ka një histori të hershme bashkëpunimi me lojtarin. Bakaj pritet të bëjë rolin e mesfushorit, pikërisht në repartin më problematik të Kukësit, repart që vuan prej kohësh nga dëmtimet e shumta. Edhe afrimet e nigerianëve nuk sollën ndonjë përmirësim në mesfushën e Kukësit.

BakajFantazisti: Nuk e tradhtova Partizanin
Elis Bakaj ka zgjedhur Kukësin sepse, sipas tij, askush tjetër nuk i bëri një ofertë konkrete. “Nuk kam firmosur zyrtarisht, por është gjithçka e mbyllur. Do të quhet e mbyllur pasi të bëhen regjistrimet në federatë”, – ka deklaruar fantazisti i Kombëtares për “Panorama Sport”.
Elis, pse zgjodhët Kukësin?
Sepse më bëri ofertën më të mirë dhe më serioze. Unë kam nevojë të luaj dhe nuk kisha shumë kohë për të qëndruar në negociata.
Tifozët e Partizanit ju prisnin të visheshit i kuq…
I mirëkuptoj tifozët e Partizanit dhe ata e dinë se sa shumë e kam në zemër këtë skuadër, por ama nuk mund të shkoja në një ekip ku nuk mora asnjë ofertë konkrete.
Po thoni se nuk patët asnjë kontakt nga Partizani?
Nuk pata asnjë ofertë konkrete. Prita dy ditë dhe asgjë. Askush s’erdhi të më thoshte: “eja, të ofrojmë kaq, sepse kaq mundësi kemi”, – dhe unë t’u thosha “po” ose “jo”. Asnjë ofertë konkrete, asnjë shifër e asnjë detaj.
Çfarë synoni te Kukësi?
Të luaj rregullisht edhe ta ndihmoj skuadrën të arrijë objektivat që i ka vënë vetes.
Ç’do të thotë të ktheheni në kampionatin shqiptar kaq papritur?
Ne kemi shkuar në vende ku as nuk na njihte njeri dhe as e dinte njeri cilët ishim. Ia kemi dalë mbanë dhe kemi ditur të bëjmë punën tonë. Nuk mendoj se do të kem ndonjë vështirësi përshtatjeje te Kukësi. Aty kam shumë të njohur dhe besoj se do të ambientohem shpejt.
Sa është kontrata juaj?
Deri në fund të sezonit, më pas të shohim.
Në fakt e kishim fjalën sa shkon në termat financiarë?
Nuk mendoj se është e udhës që, ende pa u prezantuar mirë, të flasim për shifra…
Cili është mesazhi juaj për tifozët e Kukësit?
Do të jap gjithçka nga vetja ime dhe të jenë të bindur se impenjimi im do të jetë maksimal.
Po për tifozët e Partizanit?
Ndoshta duket sikur jam unë i keqi në këtë rast, por nuk është aspak kështu. Jua them me ndershmëri se nuk mora asnjë ofertë konkrete. Nuk kisha luksin të prisja më tepër, sepse kam nevojë të luaj. Ata që më njohin e dinë mirë sa e vlerësoj atë klub.
A keni pasur kontakte me klube të tjera?
Kontakte po, por asnjë ofertë konkrete.
Do të luani në Kupat e Europës, nëse Kukësi do të sigurojë pjesëmarrjen?
Nuk e di, të shohim. Objektivi im është që të luaj sërish jashtë Shqipërisë, ndaj edhe do të punoj fort me Kukësin për të qenë gati që të luaj në një ekip të huaj, por me nivel.

Sqarimi i Partizanit
Klubi kërkon të sqarojë mbarë opinionin publik për çështjen “Elis Bakaj”: Nuk është aspak e vërtetë që drejtuesit e klubit kanë qëndruar indiferent ndaj lojtarit, i cili konsiderohet si një prej talenteve më të mirë që ka prodhuar Akademia e Partizanit. Pas kontakteve të shpeshta të drejtorit teknik, Genc Tomori, përgjatë gjithë këtyre ditëve, mbrëmjen e së dielës Bakaj ka zhvilluar një takim nën shoqërinë e Tomorit dhe presidentit Demi. Vetë lojtari pranoi se kishtë arritur një paramarrveshje me drejtuesit e Kukësit, lëvizje e cila binte në kundërshtim me deklaratat e fundit ku ai ishte prononcuar se klubi i parë që do të niste bisedimet në Shqipëri do të ishte Partizani. Klubi vendosi të respektojë zgjedhjen e Bakajt, Kukësin, çka ishte dëshira e vetë lojtarit.
Presidenti Demi ka si parim të mos ndërhyrjë në negociatat që kolegët e tjerë, presidentë klubesh, zhvillojnë me lojtarë që synojnë t’i kenë pjesë të ekipeve të tyre.

Negociatat me “demat” dhe Tiranën
Pak orë pasi ishte arritur akordi me Kukësin, drejtuesit e Partizanit dje kanë tentuar që të bindin lojtarin të ndryshojë mendje, por oferta e tyre nuk ka qenë joshëse. Ndërkaq, nga ana tjetër, është futur në lojë edhe Tirana, por më shumë për të testuar gjendjen se sa për të negociuar seriozisht afrimin e Bakajt te bardheblutë. Gjithsesi, në fund ka triumfuar oferta e Kukësit, që është afro 40 mijë euro. Në të kaluarën Bakaj ka luajtur në Shqipëri me Partizanin dhe Dinamon.

Revolta e tifozëve kuksianë: Tani toleroni edhe Vllazninë!
Tifozët kuksianë kanë mbetur të pakënaqur nga humbja e skuadrës së tyre ndaj Tiranës, madje ata hedhin edhe akuza në drejtim të klubit. Në “Facebook”-un e “FK Kukësit”, që është faqja më e madhe e tifozërisë verilindore, dje shkruhej: “Nëse me Tiranën nuk na u ‘deshën’ pikët, atëherë pse na duhen me Vllazninë të mërkurën? Meqenëse presidenca toleroi me Tiranën se deshën ata, të mërkurën duam ne”. Revolta e tifozëve kuksianë është e hapur dhe në komentet që ata lënë, paralajmërojnë mënyra të ndryshme mbështetjeje për Vllazninë në përballjen e së mërkurës në Kukës. Ja disa nga komentet e lëna dje nga tifozët kuksianë: Basri Hallaçi: “Duhet që të shkojmë të gjithë tifozët në stadium dhe të bëjmë tifo për Vllazninë”. Drilon Spahiu: “Ne duhet ta bëjmë me vepra dhe jo me fjalë. Nëse nuk ia lënë takimin Vllaznisë, të prishim lojën dhe shkodranët të marrin trepikëshin në tavolinë”. Adrian Domi: “Aty ku lindi futbolli. Shkodra sot është në një situatë mjaft të keqe, prandaj duhet ta përkrahim Vllazninë ashtu siç ata na përkrahën neve në Europë”.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"