Elis Bakaj: Kukësi nuk varet nga mua, tifozët më ofenduan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2017 | 9:24

Elis Bakaj: Kukësi nuk varet nga mua, tifozët më ofenduan

Elis Bakaj ka qenë një prej lojtarëve më të mirë në ndeshjen e djeshme ndaj Teutës, duke arritur të shënojë një supergol. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori ka folur për ecurinë e skuadrës dhe ka sqaruar një moment irritimi që ka pasur me tifozët e Teutës në fundin e ndeshjes.

bakaj

Keni shënuar një supergol ndaj Teutës, sa e rëndësishme ishte kjo fitore?

Nuk është i rëndësishëm goli im, e rëndësishme është që morëm tri pikët, fituan ndaj një ekipi të fortë dhe t’i shënosh Teutës 4 gola nuk është pak. Për ne nuk ka rëndësi kush shënon, rëndësi ka fitorja. Jemi në rrugën e duhur, ekipi po ecën mirë dhe kur ka rezultate, të gjithë janë të gëzuar.

Megjithatë, një moment u duk sikur skuadra u lodh dhe u ndëshkua. Çfarë ndodhi?

Në fund lëshuam paska terren, është një defekt që na lind detyrimi ta rregullojmë, pasi është i përsëritur, por, pasi pësuan golin e dytë, reaguam për dy minuta, gjë që tregon se ekipi ka kualitet. Por duhet me patjetër që të shmangim të tilla gjëra, pasi, siç është një ndeshje, nuk është një tjetër dhe duhet që mos të ndodhë më kjo gjë. Kam besimin se çdo gjë rregullohet, pasi i kemi aftësitë për mos ta bërë më. Personalisht, e kam kaluar dëmtimin dhe jam në 100 për qind.

A mund të themi se Kukësi varet nga Bakaj, duke parë edhe impaktin që keni në skuadër?

Kukësi nuk varet nga Bakaj, as ndonjë lojtar tjetër, ne bëjmë lojë kolektive, kemi forcën e grupit, luajmë për njëri-tjetrin. Kur ekipi ecën mirë, natyrisht dhe sulmuesit do shënojnë ashtu siç kemi bërë deri më tani. Nëse do vazhdojmë kështu, jemi në rrugën e duhur. Te Kukësi kemi treguar se dhe kur mungon njëri, ndeshjen e zgjidh tjetri dhe kështu me radhë, te ne shënojnë reparti i avancuar, por dhe të tjerë, aspekt shumë pozitiv.

Keni pasur edhe një incident me tifozët e Teutës në fund…

Unë nuk kam asnjë problem me ta, por tani është pakuptimtë dhe e papranueshme që një lojtar të ofendohet nga familja, është turp, ndaj dhe lojtarët e Teutës u afruan menjëherë sepse kjo gjë mund t’u ndodhë dhe atyre nesër. Është krejt e papranueshme, faji është i arbitrit që nuk ndaloi ndeshjen, kur ka sharje ndaj një futbollisti kushdo qoftë duhet ndalur ndeshje dhe duhet ndërprerë akti i papranueshëm.

Ne pretendojmë dhe ftojmë tifozët femra dhe fëmijë në stadium, kështu duhet t’i edukojmë?! Këto akte duhen ndalur një herë e përgjithmonë, por duhet që gjyqtarët të jenë shumë korrektë dhe seriozë karshi këtyre fenomeneve. S’ka rëndësi, sot është Bakaj pre, nesër mund të jetë kushdo. Këtij fenomeni duhet thënë stop një herë e mirë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"