EKSKLUZIVE/ Bakaj: E jashtëzakonshme të takoja Maradonën, ja si më befasoi legjenda argjentinase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 18:06

EKSKLUZIVE/ Bakaj: E jashtëzakonshme të takoja Maradonën, ja si më befasoi legjenda argjentinase

Futbollistë të caktuar mund të mos i takosh kurrë në jetë, edhe kur bëhet fjalë për lojtarë profesionistë që kanë një karrierë disavjeçare në Europë. Mirëpo, Elis Bakaj ka qenë me fat. Jo për përballjen me një futbollist aktual të madh, por sepse ka provuar kënaqësinë e fitores, kur në skuadrën kundërshtare trajner ka qenë Diego Maradona.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare tregon për “Panorama Sport” përshtypjen e parë përballë legjendës argjentinase. Bakaj, gjithashtu flet për emocionet e fitores në atë ndeshje si dhe për krahasimin mes Maradonës dhe Mesit apo Kristiano Ronaldos. Ish-futbollisti i Kombëtares asistoi dhe realizoi me penallti ndaj Dinamo Brest për të kontribuuar në fitoren me përmbysje të Shahtjor Soligorsk, pikërisht në ditën e parë të Maradonës me Brest.

elis bakaj maradona

Shënuat në Europë dhe më pas asist dhe gol në fitoren me përmbysje në kampionat. A është forma më e mirë e Bakajt kjo?

Kam qenë në formë të mirë edhe më përpara, pavarësisht se nuk kam shënuar. Të mos harrojmë që jam i dyti në Ligë për asistime, me shtatë të tillë. Sa i përket golit, më mungonte dhe jam i lumtur që realizova këtë javë, si në Europa Ligë edhe në kampionat. Mbi të gjitha, rëndësi ka fitorja e skuadrës, por kur unë jam pjesë e suksesit, kënaqësia është e dyfishtë.

Keni gjetur pozicionin ideal në fushë apo tani po tregoni vlerat sepse jeni ambientuar siç duhet?

Të them të drejtën, në fillim kam luajtur më së shumti si mesfushor krahu dhe tani jam më afër portës. Normalisht që ky është edhe roli që unë preferoj dhe mund të jap më shumë për skuadrën.

Në ndeshjen e fundit duhet të bënte bujë ardhja e Maradonës, por me asist dhe gol në fitoren me përmbysje, i rrëmbyet skenën…

Ishte diçka fantastike që të takoje nga afër një legjendë si Maradona. Në fakt, nuk e kam menduar diçka të tillë, pasi as 100 gola në një ndeshje nuk mendoj se mund t’ia rrëmbejnë skenën një ikone të futbollit si Maradona. Ishte vërtet një kënaqësi e madhe që t’i jap dorën dhe të takohem me të.

Si ishte Maradona real, pra përtej figurës ikonike?

Në fakt, ai erdhi dhe na takoi kur nisi ndeshja. Nuk patëm mundësi të qëndronim sadopak dhe të mund të flisnim apo të shkëmbenim ndonjë bisedë apo batutë.

Në televizion duket vërtet i shkurtër, si ishte impakti kur e takuat?

Po, në fakt ishte shumë i shkurtër. Madje, u habita realisht për gjatësinë që kishte. Mirëpo, ky ishte edhe një motiv më shumë kur e pashë për ta përforcuar edhe më shumë idenë që ka qenë vërtetë një super futbollist me një trup të tillë shtatshkurtër.

Jeni mes atyre që besojnë se Maradona është më i miri i të gjitha kohërave apo dualiteti MesiRonaldo me “Topat e Artë” e ka superuar?

Nuk di ta them diçka të tillë, por secili prej të treve që ju përmendët, ka qenë (Maradona) dhe do të mbeten (Mesi e Ronaldo) në historinë e futbollit të të gjitha kohërave. Sipas meje, janë ikona të futbollit dhe është e vështirë që të thuash se njëri apo tjetri është më i miri.

Cilat janë objektivat personale dhe kolektive të Bakajt në vijim?

Dua që të shënoj dhe të jap sa më shumë asiste dhe kontribut për fitoret dhe sukseset e skuadrës. Sa i përket klubit, kampionati ose kupa janë objektiv në Biellorusi, ndërkohë që në Europë synojmë kalimin e sa më shumë tureve.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"