De Biazi me 3 debutues, Zeman: Do shkëlqeni me italianin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2012 | 11:06

De Biazi me 3 debutues, Zeman: Do shkëlqeni me italianin

‘Një trajner italian, siç është De Biazi mund ta çojë përpara Shqipërinë. Jeni ekip i vogël dhe që i keni bërë gjërat me vonesë, por jam i bindur që do të keni suksese në vazhdimësi”. Kështu shprehet çeku i famshëm i trajningut, Zdenek Zeman. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Parmës, Lacios, Romës dhe disa ekipeve të tjera në Itali, flet për Shqipërinë. Dy vite më parë, kur nga pankina kuqezi u largua holandezi Ari Han, Zeman ishte një kandidat potencial për të marrë drejtimin e Shqipërisë, por kjo nuk ndodhi. Ai konsiderohet si një nga trajnerët më novatorë në Itali, teksa në ambientet sportive dhe gazetareske njihet me nofkën “Bohemi”. Zeman njihet në Itali edhe për polemikat që ka bërë me figurat e rëndësishme të futbollit të këtij vendi. Në këtë sezon, 64-vjeçari drejton Peskarën në Serinë B. Shumë i sjellshëm ai pranon të flasë për lexuesin shqiptar duke dhënë mendime edhe për Kombëtaren kuqezi.
Përshëndetje Zdenek, në Shqipëri jeni përfolur pak vite më parë si një kandidat për të marrë drejtimin e Kombëtares…
Sinqerisht, nuk e di. Personalisht s’kam dëgjuar të flitet për këtë gjë. Mos ndoshta kanë folur të tjerët në emrin tim (qesh)?!
Sidoqoftë, e njihni Shqipërinë dhe futbollin në këtë vend…
Po, po sigurisht. Në një rast kam ndjekur një lojtar shqiptar që luante në Gjermani (emrin nuk e mbante mend). Doja ta merrja në skuadër. Pastaj, unë di shumë për Igli Taren. Më vjen mirë për atë që ka bërë ish-lojtari shqiptar për Lacion. Dihej që ky klub është i dashur për mua dhe ndihem mirë kur dëgjoj se Tare vazhdon të bëjë një punë të admirueshme te bardhekaltrit.
E keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?
Jo, asnjëherë. Gjithsesi, jemi në Evropë dhe herët a vonë do kaloj edhe atje. Kam qenë në Maqedoni, por ende jo në Shqipëri.
E dini që në krye të Kombëtares shqiptare është një italian?
Di që është vendosur De Biazi. E njoh, pasi ka punuar me disa skuadra këtu, kam një përshtypje të mirë për punën e tij.
Mendoni se De Biazi mund të arrijë suksese?
Besoj se po. Mjafton që është italian dhe jam i bindur se do ta çojë përpara Shqipërinë. Kjo është e rëndësishme, pasi trajnerët italianë janë shumë të aftë dhe dinë si të fitojnë.
Çfarë mund t’i ndryshojë Kombëtares sonë, keni ndonjë ide?
Unë njoh mirë disa lojtarë shqiptarë, të cilët ndër vite i kam ndjekur. Gjithsesi, di të them se De Biazi dhe trajnerë të tjerë italianë e përgatisin në mënyrë perfekte skuadrën nga ana taktike. Pra, janë takticien të mëdhenj. De Biazi ka dhënë prova me ekipe të vogla dhe, kjo, është shumë e rëndësishme. Shqipëria mund të jetë një surprizë e bukur në eliminatoret e ardhshme.
A mund të bëni një krahasim se çfarë i mungon futbollit shqiptar duke e krahasuar me atë perëndimor?
Së pari, mendoj se i mungon disi tradita. Vendet si Shqipëria që i kanë bërë gjërat disi me vonesë, gjithnjë do të kenë probleme. Për të qenë realistë, unë nuk e njoh mirë ambientin si funksion në Shqipëri. E kam fjalën për kampionatin, strukturat dhe stadiumet. Di që djem shqiptarë kanë ardhur në kurset e Koverçianos dhe shpresoj që kanë mësuar shumë. Ato që kanë marrë nga këto kurse, sigurisht që do t’i aplikojnë.
Ju jeni shumë i njohur në Shqipëri, sidomos për tifozët e Lacios dhe Romës. Keni ndonjë mesazh?
Dua t’i përshëndes dhe t’i uroj që të kenë mundësinë të ndjekin dhe të apasionohen pas futbollit. Dua që një ditë të takohem në Shqipëri me ata që ruajnë ende kujtime nga puna që unë kam bërë në ekipet italiane. Lacio dhe Roma janë kujtime të paharrueshme për mua. Dy klube legjendë, që sigurisht kanë shumë tifozë, jo vetëm në Itali, por edhe në vendet e tjera të Evropës. Për momentin nuk janë aty ku duhet, por do të ringrihen shpejt.

Kur çeku përflitej për pankinën kuqezi
Pak më shumë se dy vite më parë, kur nga pankina e Shqipërisë u largua holandezi Ari Han, si kandidat për të marrë drejtimin e kuqezinjve ishte edhe Zdenek Zeman. Në muajin prill të vitit 2009, trajneri çek u përfol si një alternativë bindëse për Kombëtaren shqiptare. Megjithatë, mes një morie emrash trajnerësh, disa prej të cilëve shumë të njohur në arenën evropiane, presidenti Armand Duka përzgjodhi kroatin Josip Kuzhe. I pyetur nga “Panorama Sport”, nëse kishte biseduar me ndonjë përfaqësues të FSHF-së, çeku Zeman e mohoi diçka të tillë. Asokohe, Zeman iu ofrua FSHF-së nga një agjent i FIFA-s.
Nga Peskara, MURAT ARUÇI


De Biazi: Do të eksperimentojmë në Gjeorgji

E ka bërë publike listën e 19 lojtarëve kuqezinj për miqësoren me Gjeorgjinë të premten, ndërsa një ditë më pas, të shtunën, ka dhënë shpjegimet përkatëse mbi atë. Trajneri italian i kombëtares së Shqipërisë, De Biazi, do të bëjë debutimin e tij zyrtar në këtë detyrë të re më 29 shkurt, në Tbilisi. Të dielën, ai, në krye të kampit kuqezi, do të niset drejt Gjeorgjisë, ku do të luajë të mërkurën e ardhshme miqësoren në Tbilisi. Trajneri kuqezi në konferencën për shtyp nënvizoi se kjo miqësore do t’i shërbejë për t’i njohur nga afër të gjithë lojtarët e grumbulluar, në kuadër të përgatitjeve për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014. Vlen të përmendet një fakt, të cilin e ka nënvizuar me forcë italiani, se të gjithë të grumbulluarit për miqësoren me Gjeorgjinë, por edhe të tjerët, që i ka në kokë, nuk e kanë vendin e sigurt në kombëtaren kuqezi. Sipas tij, secili futbollist duhet ta fitojë vendin e titullarit me djersë dhe përkushtim, jo falë emrit që mund të ketë. “Gjatë kësaj kohe sa jam trajner i Shqipërisë, që në të vërtetë ka qenë një periudhë e shkurtër, kemi udhëtuar shumë edhe pse në në kushte shumë të vështira atmosferike. Kemi parë dhe kemi kontaktuar shumë futbollistë. Miqësorja me Gjeorgjinë do të jetë vetëm hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë për t’u kualifikuar në “Brazil 2014”. Ky test do të na shërbejë më shumë nga ana tekniko-taktike, për të kuptuar se ku jemi në këtë moment. Kemi thirrur për herë të parë tre futbollistë, Edgar Canin, Armando Sadikun dhe Hair Zeiqirin. Sigurisht, në cdo ndeshje kërkohet rezultati pozitiv, por në miqësoren me Gjeorgjinë do të na duhet të bëjmë edhe ndonjë eksperiment të vogël,” – deklaroi De Biazi të shtunën, në konferencën për shtyp.

 

Trajneri De Biazi, aventura nis me tri debutime kuqezinjsh
Edgar Çani, Armando Sadiku dhe Hair Zeqiri. Këta janë tre emrat e rinj të grumbulluar për herë të parë në Kombëtaren shqiptare në një ndeshje zyrtare. Në një farë mënyre, këta të tre mund të konsiderohen edhe si një bast për trajnerin italian të Shqipërisë, duke qenë se nuk kanë provuar asnjëherë të veshin fanellën e përfaqësueses A. De Biazi ka preferuar edhe për arsye nga më të ndryshmet që të mos grumbullojë “senatorët”, ose më mirë lojtarët me peshë të skuadrës sonë, duke filluar që nga Bogdani, Salihi, Teli e deri te kapiteni Lorik Cana. Duhet thënë se “Bogu” ka kërkuar vetë që të mos jetë i pranishëm në këtë miqësore, ndërsa Salihi dhe Teli janë lënë jashtë për arsye taktike (De Biazi ka preferuar që në vend të tyre të mund të provojë lojtarë të rinj). Mungon ndërkaq edhe Lorik Cana e Debatik Curri, që të dy të dëmtuar: i pari mund të kthehet në fillim të marsit në stërvitje, kurse i dyti në fund të këtij sezoni.
Risitë – Në fakt, të rejat në listën e De Biazit nisin që me portën, teksa portier të dytë italiani ka preferuar Orges Shehin e Skënderbeut, i konsideruar si gardiani më i mirë i Superligës. Shehi ka qenë i grumbulluar edhe më parë në Kombëtare nga ish-trajneri Josip Kuzhe, por nuk ka luajtur asnjëherë, madje as në miqësoret e fundvitit të shkuar. Kështu që, me gjasa, portieri i korçarëve mund të bëjë debutimin e tij ndaj gjeorgjianëve. Për të kaluar te mbrojtja, ku pa Telin, Canën e Currin, afërmendsh që titullarë mund të jenë Osmani dhe Veliu, të rigrumbulluar në ekipin përfaqësues. Korçari ka qenë pjesë e kësaj skuadre para disa vitesh kur luante te Metalurg Zaporishtje në Ukrainë, ndërsa vlonjati ka luajtur në miqësoren ndaj Argjentinës si dhe në përballjen kualifikuese ndaj Luksemburgut. Sa i përket mesfushës, sytë drejtohen nga Hair Zeqiri i Riezesporit, pasi emrat e tjerë, përveç Roshit, janë provuar prej disa vitesh në Kombëtare. Vlonjati ka treguar një formë shumë të mirë në kampionatin turk, ndaj edhe grumbullimi në përfaqësuese ishte thuajse i sigurt. Ndërkohë është lënë disi në harresë një tjetër mesfushor, me tipare organizative: Sabjen Lilaj. Ish-lojtari i Tiranës nuk po kalon një periudhë të lumtur te Lokomotiva e Zagrebit, ndaj edhe për këtë miqësore është lënë jashtë.
Sulmi – Reparti ofensiv është edhe ai që është prekur më shumë në këtë grumbullim. Janë lënë pushim Salihi dhe Bogdani (ndërkohë Kapllani është i dëmtuar) dhe në vend të tyre do të luajnë për herë të parë Sadiku me Çanin. Që të dy këta kanë shpërthyer me lojën e tyre në Zvicër dhe Poloni, ndaj edhe shihen si “rreziku” kryesor i “senatorëve” për vendin e titullarit në të ardhmen në Kombëtare. Me gjasa, De Biazi mund të luajë nga minuta e parë me Edgar Çanin, duke qenë se futbollisti luan në një kampionat prestigjioz si ai polak, te Polonia e Varshavës, dhe ka shënuar rregullisht në takimet e fundit.

Në mënyrë telegrafike dhe të plotë, ja edhe lista e lojtarëve të ftuar nga trajneri De Biazi për miqësoren me Gjeorgjinë, që kuqezinjtë tanë do ta luajnë në Tbilisi, më 29 shkurt, në orën 15:00
1.Samir Ujkani              Novara Calcio
2.Orges Shehi               Skenderbeu
3.Tefik Osmani              KF Teuta
4.Armend Dallku           Vorskla Poltava
5.Franc Veliu                FK Flamurtari
6.Andi Lila                    PAS Jannina
7.Kristi Vangjeli            Chernomorets Odesa
8.Ervin Bulku                AZAL  Baku
9.Gilman Lika               KF Tirana
10.Odise Roshi            FC Koln
11.Jahmir Hyka            Luzern
12.Emiljano Vila           PAS Jannina
13.Gjergj Muzaka         FK Skenderbeu
14.Ansi Agolli              Qaraback
15.Hair Zeqiri               Rizespor
16.Ahmed Januzi         Vorskla Poltava
17.Elis Bakaj               Dinamo Bukuresht
18.Armando Sadiku     Locarno
19.Edgar Çani             Polonia Varshava

 

Bogdani: Jam OK, por i kërkova trajnerit të mos vija
Erjon Bogdani nuk do të jetë në Kombëtare për miqësoren ndaj Gjeorgjisë, e cila është edhe prova e parë e trajnerit Xhani De Biazi në krye të pankinës së Shqipërisë. Sulmuesi i Sienës ka sqaruar dje për “Panorama Sport” se e ka refuzuar ftesën e trajnerit me dëshirën e tij. Në fakt, u mendua se pas dëmtimit të para pak ditëve, Bogdani do ta kishte të pamundur të grumbullohej me Kombëtaren. Gjithsesi, ai konfirmon se nuk ka ndonjë problem fizik. “Unë kam folur vetë me trajnerin De Biazi dhe i kam kërkuar që të mos më grumbullojë për ndeshjen miqësore ndaj Gjeorgjisë. Për momentin jam OK dhe dëmtimin në pulpë e kam kaluar plotësisht. Po përgatitem për ndeshjen me Palermon dhe dua që të bëj një paraqitje sa më të mirë. Mendoj se për miqësoren ndaj Gjeorgjisë trajneri do të shikojë disa lojtarë të rinj, të cilët i ka ftuar. Në këto kushte, ramë dakord që unë të mos bëhesha pjesë e ekipit për këtë miqësore. Sigurisht, ky është një test shumë i rëndësishëm për De Biazin, pasi ai kërkon të shikojë grupin dhe lojtarët e ardhur rishtas. Unë do të jem gati për përfaqësuesen, sa herë që të kërkohet ndihma ime. E kam thënë që derisa të jem mirë fizikisht, do të vazhdoj të kontribuoj për Kombëtaren”,- është shprehur golashënuesi më i mirë i kuqezinjve. Bogdani është në planet e De Biazit për eliminatoret e Botërorit 2014. Sulmuesi ishte në dilemë nëse do të vazhdonte me Kombëtaren apo do të hiqte dorë prej saj, duke luajtur vetëm në klube. Gjithsesi, ai vendosi t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së drejtuesve të FSHF-së dhe stafit teknik me në krye De Biazin.

“Bogu”, si titullar me Palermon
E sigurt: Erjon Bogdani do të luajë nga minuta e parë në ndeshjen e kësaj jave Siena- Palermo. Duke qenë se te senezët do të mungojë sulmuesi kryesor Kalajo, aktivizimi i Bogdanit bëhet i domosdoshëm. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat theksojnë faktin se Kalajo është i pezulluar, ndaj ky është rasti që Bogdani të bëjë debutimin me skuadrën e tij të re. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare kaloi te kjo skuadër në merkaton e janarit pasi nuk po gjente hapësira te Çezena. Sakaq, kontrata e tij përfundonte në fund të sezonit, ndaj edhe toskanët menduan që ta largonin që në janar.

Armando Sadiku, si në ëndërr
Sulmuesi elbasanas i Lokarnos, Armando Sadiku, grumbullohet për herë të parë në Kombëtaren shqiptare. Në 15 ndeshjet e këtij sezoni, ai ka shënuar 11 gola në Ligën e Dytë zvicerane. “Jam shumë i kënaqur. Është një ftesë që i bën nder çdo futbollisti. Unë jam një lojtar i ri dhe kjo më bën të ndihem krenar. Jam duke kaluar një formë të mirë te Lokarno”,- është shprehur sulmuesi për uebsajtin “albaniasport. com”. Sadiku shkëlqeu me Kombëtaren Shpresa, duke shënuar 6 gola në 5 ndeshjet e eliminatore të Euro U-21. Sulmuesi beson se trajneri Xhani De Biazi do t’i japë mundësinë e aktivizimit për të treguar vlerat e tij në miqësoren e 29 shkurtit kundër Gjeorgjisë.

Zyrtare, Bakaj firmos për 20 mijë euro në muaj
Elis Bakaj ka firmosur zyrtarisht dje në mbrëmje një kontratë 3-mujore për klubin ukrainas, Çernomorets Odesa. Dinamo e Bukureshtit ka rënë dakord me homologët ukrainas për ta huazuar lojtarin. Burime të sigurta pranë këtij të fundit bëjnë të ditur për “Panorama Sport”, se Bakaj do të përfitojë 20 mijë euro në muaj për periudhën që do të aktivizohet me Çernomorets. Kartoni – U mor për 250 mijë euro nga Dinamo e Tiranës në fund të janarit 2011, ndërsa tani për të Dinamo e Bukureshtit kërkon edhe 50 mijë euro më shumë, pra 300 mijë. Kjo është shifra që kanë vendosur drejtuesit e kësaj skuadre për kartonin e mesfushorit me tipare sulmuese të skuadrës sonë përfaqësuese. Lajmi është bërë i ditur nga mediat rumune, të cilat konfirmonin edhe kalimin në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni të Bakajt në kampionatin ukrainas, te skuadra e Çernomorets Odesës. Te kjo skuadër luan edhe mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Kristi Vangjeli, i cili ka luajtur një rol ndërmjetësi me klubin ukrainas për marrjen e bashkëpatriotit të tij. Vangjeli, që u transferua në verën e 2011-ës në këtë skuadër, ka shfrytëzuar faktin që klubet ndodhen në Turqi për fazë përgatitore, që t’ia hedhë si ide drejtuesve vëzhgimin e Bakajt. Ndërkohë, shtypi rumun ka nxjerrë edhe disa detaje nga marrëveshja, ku thuhej se Dinamo e Bukureshtit do të përfitojë 100 mijë dollarë nga huazimi i lojtarit, përveç faktit që rrogën e Bakajt do ta paguajë gjithashtu Çernomorets Odesa. Në total, Dinamo e Bukureshtit do të përfitonte nga largimi i lojtarit, qoftë edhe për një periudhë pesëmujore, më shumë se 120 mijë euro (rrogë që nuk i paguan Bakajt + përfitimi nga huazimi). Ndërsa, nëse ukrainasit do të duan që në fund të këtij sezoni ta blejnë përfundimisht kartonin e Bakajt, atëherë duhet që të paguajnë edhe 300 mijë euro.

Trajneri: Salihi, ende jo në 100%
Trajneri i DC Junaitid, Ben Olsen, ka thënë dje për mediat amerikane se blerja më e bujshme e klubit, sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi, nuk është në 100% të formës së tij. Pritet që lojtari të luajë minutat e para me DC Junaitid, në një turne miqësor që do të zhvillohet në Karolina. “Duhet të presim disa javë për të kthyer Salihin në maksimumin e tij. Është një lojtar me aftësi të shkëlqyera për të shënuar dhe jam i bindur se do të na ndihmojë shumë”,- është shprehur Olsen për uebsajtin “mlssoccer.com”. Ndërkohë, pas stërvitjeve të para të sulmuesit në Amerikë, tifozët e DC Junaitid kanë komentuar me entuziasëm cilësitë që ka shqiptari në repartin ofensiv.
Leonard KARAJ

 

Më tepër për përballjet mes Gjeorgjisë dhe Shqipërisë
Shqipëria do të zhvillojë një miqësore me Gjeorgjinë, takim që do të luhet më 29 shkurt 2012, në stadiumin “Boris Paichadze” të Tbilisit. Kjo është miqësorja e pare e Shqipërisë me trajner De Biazin, në kuadrin e përgatitjeve për fushatën eliminatore të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Takimi i fundit miqësor i Shqipërisë , nën drejtimin e ish-ndihmësit të Josip Kuzhes, Dzemal Mustedanagiç, që ka rolin e trajnerit të kombëtares kuqezi U-17, është barazimi 0-0 me Maqedoninë, në Prilep (17 nëntor 2011), ndërkohë që ai i fundit me Gjeorgjinë daton më 10 qershor 2009.
GJEORGJIA
Kombëtarja e Gjeiorgjisë pozicionohet më keq se Shqipëria në ranglistën botërore të FIFA-s: duke u renditur në vendin e 81-të, ndërkohë që vendi ynë pozicionohet i 78-ti. E drejtuar nga Temuri Ketsabia, një ish-trajner i Arjan Beqajt, kur gjeorgjiani ishte në pankinën e Anorthosis Famagusta, ku dhe shkroi një nga faqet më të bukura të futbollit qipriot në Europë, Gjeorgjia, së fundi fitoi 2-0 me Moldavinë (më 11 nëntor). Mesfushori Levan Kobiashvili (34 vjeç), aktualisht te Herta e Berlinit, është dhe lojtari me më shumë ndeshje, 100. Golashënuesi më i mirë historik i Gjeorgjisë është Shota Aveladze, me 26 gola, por që tani është tërhequr nga futbolli i luajtur. Në fushatën e fundit kualifikuese, atë “Euro 2012”, Gjeorgjia u rendit në vendin e parafundit në grupin F, duke grumbulluar 10 pikë, pas 10 ndeshjesh (2 fitore, 4 barazime, 4 humbje).
BILANCI
Edhe pse Gjeorgjia është krijuar si Federatë në vitin 1990 dhe luan një ndeshje ndërkombëtare në vitin 1990 (Lituani-Gjeorgji 2-2), në harkun e 21 viteve të dy vendet tona janë ndeshur jo pak, por 11 herë ndaj njëra-tjetrës, madje Shqipëria është për gjeorgjianit edhe kundërshtari, më të cilin kanë luajtur më shumë, ndërkohë që bilanci është tejet negativ për kuqezinjtë: 11 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje, 9 gola të shënuar dhe 17 të pësuar. Nëntë golat e Shqipërisë në 11 takime kundër Gjeorgjisë mbajnë këto firma: Tare (3), Skela (1), Bushi (1), Rraklli(1), B.Kola (1), Hasi (1) dhe Agolli (1). Takimi i parë daton më 4 dhjetor 1994, kur Gjeorgjia fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”, për eliminatoret e “Euro 1996”. Më 26 prill të vitit 1995, Shqipëria humbi 2-0 me Gjeorgjinë në Tbilisi, po për këto eliminatore. Pas katër humbjesh radhazi, Shqipëria regjistroi fitoren e parë, më 9 tetor 1999, 2-1, një ndeshje kjo për eliminatoret e “Euro 2000”. Dy fitoret e tjera i përkasin epokës së Hans Peter Brigelit: Shqipëri-Gjeorgji 3-1 (10.09.2003) dhe Shqipëri-Gjeorgji 3-2 (04.06.2005). Barazimet janë fiksuar më 22 mars 2006, një miqësore e mbyllyr 0-0 në “Qemal Stafa”, njëherësh edhe ndeshja e fundit e gjermanit Hans Peter Brigel në stolin e Shqipërisë, si dhe më 10 mars 2009, 1-1 po në Tiranë, por me trajner Josip Kuzhe dhe Hektor Kuperin në pankinën e Gjeorgjisë.

NDESHJET ME GJEORGJINË
ZYRTARE
ELIMINATORE,  EURO 1996
14.12.1994: Tr.: N.Bajko
Shqipëri-Gjeorgji 0-1

26.04.1995: Tr.: N.Bajko
Gjeorgji-Shqipëri 2-0

ELIMINATORE,  EURO 2000
05.09.1998: Tr.: A.Hafizi
Gjeorgji-Shqipëri 1-0
09.10.1999: Tr.: A.Hafizi
Shqipëri-Gjeorgji 2-1

ELIMINATORE,  EURO 2004
06.09.2003: Tr.: H.P.Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 3-0

10.09.2003: Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 3-1

ELIMINATORE, BOTËRORI 2006
08.09.2004: Tr.: H.P.Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 3-2

04.06.2005: Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 2-0

TURNE NDËRKOMBËTARË
“Kupa Rothmans”, Maltë
08.02.1998: Tr.: A.Hafizi
Shqipëri-Gjeorgji 0-3

MIQËSORE
22.03.2006 Tr.: H.P.Brigel
Shqipëri-Gjeorgji 0-0

MIQËSORE
10.06.2006 Tr.: J.Kuzhe
Shqipëri-Gjeorgji 1-1

Bilanci në total: 11 ndeshje; 3 fitore Shqipëria, 2 barazime, 6 fitore Gjeorgjia. Golaverazhi: 17-9 për Gjeorgjinë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"