Eliminuan Partizanin, kapiteni i Besëlidhjes: Shpresoj t’ia dalim dhe ndaj Tiranës, Superiorja është prioriteti jonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 17:23

Eliminuan Partizanin, kapiteni i Besëlidhjes: Shpresoj t’ia dalim dhe ndaj Tiranës, Superiorja është prioriteti jonë

Pas një ndërprerjeje gati 10-javore, Besëlidhja u grumbullua të hënën dhe nisi stërvitjen. Kapiteni i saj, mbrojtësi shkodran Kledi Dibra, ende beson te objektivi i ngjitjes në Superiore, edhe pse skuadra lezhjane ndodhet 9 pikë pas Kastrotit.

DIBRA
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thekson: “Rifillimi i kampionatit na ka gëzuar pa masë, pasi ky është profesioni ynë, që e kemi ëndërruar që në fëmijëri. Një sportist dhe për më tepër një futbollist, pa fushën e blertë jeta nuk ka kuptim. Gjatë periudhës së karantinimit jam munduar të stërvitem individualisht, kur na është dhënë mundësia edhe në natyrë. Ka mbetur ende në lojë faza e tretë, që është edhe vendimtarja, ku vrapohet drejt objektivave. Ne si objektiv kemi ngjitjen në Superiore, por diferenca me kreun na e ka vështirësuar mjaft rrugën. Megjithatë, derisa na lejon matematika, do të bëjmë gjithçka. Përpara kemi edhe ndeshjet shtesë, ku edhe për ato duhet menduar, pasi janë një shans më tepër për ne. Përveç kampionatit, që është prioriteti ynë, edhe në Kupë jemi ngjitur deri në çerekfinale, duke mposhtur kampionët në fuqi Partizanin. Tani kemi ndeshjen ndaj Tiranës që pretendon titullin dhe shpresojmë të kemi sukses. Do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare pas këtij pushimi të gjatë të detyruar. Do të luftojmë në të dy frontet, por kampionati për ne është ai që na duhet
patjetër të realizojmë objektivat”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"