Eliminimi nga Champions-i dhe Kupa e Spanjës kushtojnë miliona, Ksavi djeg shumën e majme në 9 javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 14:11

Eliminimi nga Champions-i dhe Kupa e Spanjës kushtojnë miliona, Ksavi djeg shumën e majme në 9 javë

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, Barcelona emëronte zyrtarisht në krye të stolit të vet ish-mesfushorin e këtij klubit, Ksavi Hernandez. Tekniku i ri i Barcelonës zinte vendin e Ronald Kumanit i shkarkuar në avion pas barazimit 3-3 të Barcelonës kundër Selta Vigos.

ksavi 2

Më 20 nëntor, Ksavi do të bënte debutimin me katalanasit në një ndeshje speciale, në derbin kundër Espanjolit. Një debutim me fitore, duke “tërbuar” fansat e Barcelonës. Por të gjithë i dinin se vështirësitë do të vinin më pas dhe ato nuk vonuan.

Kur kanë kaluar vetëm 9 javë që nga ndeshja e tij e parë në stolin e Barcelonës kundër Espanjolit, Ksavi i ka kushtuar jo pak, por plot 27 milionë euro të humbura klubit vetëm nga dështimet në fushë.

GODITJA E PARË – Goditja e parë e madhe për Ksavin do të vinte në dhjetor pas humbjes me Bajernin 0-3 në Mynih në Ligën e Kampioneve. Ndonëse dëmet ishin bërë që kur ekipin e drejtonte Kuman, fatura e dështimit i mbeti në dorë Ksavi Hernandezit. Për herë të parë pas 20 vitesh, Barcelona nuk arrin të kualifikohet në 1/8 e finaleve dhe fatura financiare ka qenë e rëndë. Sipas përllogaritjeve, dështimi për t’u kualifikuar mes 16 më të mirave i ka kushtuar 20 milionë euro klubit katalanas. Një tjetër gropë e hapur në buxhetin e rrënuar në klubit. Vetëm fitimi i Ligës së Europës kund të amortizojë disi humbjet për katalanasit.

GODITJA E DYTË – Goditja e dytë ka ardhur vetëm pak ditë më parë në Superkupën e Spanjës. Barcelona u eliminua në gjysmëfinale nga Reali i Madridit në një ndeshje spektakolare të vendosur në shtesë nga Valverde (2-3). Ndërsa goditja e tretë ka ardhur të enjten kur u eliminua nga Kupa e Mbretit prej Atletik Bilbaos. Barça u mund 2-3 në kohën shtesë. Eliminimi nga kupa ka një kosto kjo të vogël financiare. Eliminimi i ka hequr mundësinë e fitimit të 3 milionë eurove në rast suksesi në Kupën e Mbretit, si dhe 7 milionë të tjera për mungesën në Superkupën e Spanjës në sezonin e ardhshëm. E së bashku me eliminimin nga Champions-i, Ksavi i ka humbur 30 milionë euro Barçës.

GODITJA E FUNDIT– E fundit është në planin sportiv. Bashkë me eliminimin nga Kupa e Mbretit, Barcelona ka humbur shërbimet e sulmuesit Ansu Fati. Ai është dëmtuar sërish dhe sipas mediave spanjolle do të mungojë nga 4 deri në 6 javë.

KUMAN – Për më keq akoma, shifrat e Ksavit në 13 takime që ka drejtuar Barcelonën janë gati identike me paraardhësin e Ronald Kumanit. Nga 5 fitore për kokë, por me faktin që me Ksavin Barça ka humbur Champions-in, Superkupën dhe Kupën e Spanjës!

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"