Eliminimi i Besës nga Kupa, flet kapiteni Muçaj: Pushim me porosi, humbja në Burrel e rëndë psikologjikisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2021 | 19:26

Eliminimi i Besës nga Kupa, flet kapiteni Muçaj: Pushim me porosi, humbja në Burrel e rëndë psikologjikisht

Besa ka arkivuar eliminimin nga Kupa e Shqipërisë dhe është përqendruar tërësisht te kampionati. Ka mangësi pikësh dhe kthesa bëhet domosdoshmëri. Humbja 5-0 në Burrel shkundi jo pak kavajasit, aq sa solli edhe ndryshim në pankinë. Skuadra duket se ka reflektuar dhe ndërprerja u ka ardhur si me porosi.

mUCAJ BESA

I këtij mendimi është edhe kapiteni Lejdon Muçaj, që luan sezonin e dytë me verdhezinjtë. Ai e nuhat më mirë se të tjerët atë çfarë ndodh në ekip, aq sa e pranon që u rëndua jo pak psikologjikisht. “Situata pas humbjes në Burrel psikologjikisht nuk ishte e mirë. Jo prej shifrave, por më shumë për mënyrën se si ajo erdhi.

Jua them me bindje se nuk e meritonim dështimin. Ndërprerja e garës sikur na erdhi me porosi. Për 2 javë, jo vetëm kaluam gjithçka, por edhe morëm jo pak ngarkesë fizike në interes të kampionatit. Tani mund të them se jemi rikthyer fizikisht dhe psikologjikisht aty ku duhet e kërkohet”, tha fillimisht mesfushori.

KUPA – Besa luajti sfidën e Kupës në Pogradec dhe stafi preferoi të aktivizonte futbollistë të rinj. Muçaj mendon se ishte zgjedhja e duhur, pasi nuk mund të luajnë dot në dy fronte: “Titullarët nuk udhëtuan në Pogradec, pasi e gjithë vëmendja jonë është përqendruar në kampionat. Në Kupë jemi të ndërgjegjshëm se, sado ture të kalojmë, nuk kemi kontigjent për t’u bërë ballë ekipeve si Partizani, Vllaznia, Tirana apo Teuta. Do të udhëtonim më shumë, stresi do të ishte më i madh e në fund vetëm fituesi i Kupës është ai që përfiton”.

KTHESA – Kapiteni, teksa flet për Lushnjën, nuk harron të pranojë se deri tani ekipi nuk i ka plotësuar pritshmëritë. “Në 4 javët e para, nuk kemi dhënë ose më saktë marrë atë që meritonim. Kemi gabuar me Korabin, në Burrel lamë pikë që na kanë kushtuar. Tani nuk mundet më të premtojmë e bëjmë autokritikë në gazeta, të gjithë presin rezultate konkrete në fushë, duke nisur nga Lushnja. Me pikët që kemi, nuk justifikojmë dot investimin dhe kujdesin e presidentit.

Nuk kemi alternativë tjetër veç fitores me Lushnjën. E dimë që Lushnja është ndër të paktat ekipe që na ka mundur më shpesh dhe se ka gjithë përvojën në Superiore dhe Kategorinë e Parë. Por neve nuk do të na falej edhe një tjetër hap fals me Lushnjën pas barazimit me Korabin. Siç e thashë, psikologjikisht, fizikisht jemi OK dhe po punojmë edhe sot do të bëjmë të njëjtën gjë, edhe nesër, që të dielën të japim maksimumin tonë si e vetmja zgjidhje që kemi”, përfundoi 29-vjeçari.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"