Elbasani “virtual” për Superioren, ja formacioni i vendalinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2019 | 18:58

Elbasani “virtual” për Superioren, ja formacioni i vendalinjve

Elbasanit iu bënë vite që nuk po ngrihet në nivelet që kërkohet dhe kjo situatë lidhet kryesisht me krizën financiare që e ka kapur klubin. Sipas të gjitha gjasave, deri kur të zgjidhet ngërçi financiar, klubi është i destinuar të vuajë.

Elbasani

Nga ky moment jo i mirë i elbasanasve po “përfitojnë” ekipet e tjera në futbollin shqiptar dhe më gjerë, që kanë afruar në radhët e tyre lojtarë nga ky qytet. Janë shumë lojtarë që kanë dalë nga moshat në Elbasan, të cilët shumë mirë mund të luanin me verdheblutë dhe të krijonin një ekip simpatik.

ELBASANASIT – Sigurisht që po t’i numërojmë të gjithë, lista e lojtarëve elbasanas që kanë marrë “arratinë” në ekipe të tjera është e gjatë. Formohet më shumë se një ekip, por “Panorama Sport” ka evidentuar një pjesë të tyre, që për momentin militojnë në ekipet më të mira. Formohet një 11-she cilësore, pse jo, dhe pretendente. Gazeta përpiqet të ideojë këtë formacion me elbasanasit që kanë migruar, ndonëse nuk është e lehtë të bësh një përzgjedhje se cilët mund të ishin titullarët. Përzgjedhja është bërë nisur nga niveli i skuadrave ku ata luajnë.

FUTBOLL-ELBASANI-LUZI-2008-2019.05.26 (1)

Kështu, në portë është Shkëlzen Ruçi, i cili fiton balotazhin me Festim Mirakën, për shkak se sezonin e kaluar ishte pjesë e Luftëtarit në Superiore. Elton Basriu që luan në Kosovë, Dajan Shehi që sapo ka firmosur me Vllazninë, Klajdi Broshka dhe Xhuljan Turhani përbëjnë mbrojtjen me katër. “Digjet” në këtë repart Aldo Bella, për shkak se sezonin e fundit e mbylli me Sopotin në Kategorinë e Dytë.

Formacioni i vendalinjve

Edhe ai mund ta meritonte një vend në këtë ekip. Mesi i fushës është i mbipopulluar, por ka edhe shumë cilësi. Sigurisht, nuk mund të mungojnë Ardit Hila, i cili u shpall kampion me Partizanin, dhe Emiljano Musta, që i është bashkuar Kukësit nënkampion. Plotësojnë këtë repart Orgest Gava, që luan në Kosovë dhe Dejvi Bilali që vitin e kaluar ishte pjesë e Vllaznisë. Në sulm, Eri Lamçja i Bylist, i mbështetur nga Renato Hyshmeri, i cili luan në Kosovë. Skema e lojës në këtë rast do të ishte 4-4-1-1.

ahmataj

TRAJNERI – Për të kompletuar ekipin e të “arratisurve”, duhet edhe një trajner, po ashtu në “arrati”. Edhe për stolin nuk mungojnë elbasanasit dhe ka një balotazh të dy prej tyre. Bëhet fjalë për Julian Ahmatajn dhe Gentian Stojkun, që i përkasin plejadës së re të trajnerëve. Fakti që Ahmataj drejtoi Luftëtarin sezonin e kaluar bën që ai të jetë trajneri i këtij Elbasani “virtual”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"