Elbasani tjetër goditje në merkato, kësaj radhe blindohet porta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2021 | 19:10

Elbasani tjetër goditje në merkato, kësaj radhe blindohet porta

KF Elbasani nuk ka ndërmend të ndalet në merkato. Pas zyrtarizimit të sulmuesit Erjon Mustafaj, ka ardhur edhe afrimi i radhës. Bëhet fjalë për portierin Argjend Hasfatija, i cili ditën e djeshme ka nënshkruar kontratën me ekipin e Elbasanit dhe do të jetë pjesë e kësaj skuadre për edicionin e ardhshëm.

e

23-vjeçari ka arritur akordin me presidencën dhe me trajnerin Suta, ku ka vendosur që pas disa shëtitjeve në ekipe të tjera të futbollit shqiptar, të rikthehet në ekipin e qytetit të tij dhe të japë kontributin për ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë.

Më herët, Hasfatija ka punuar me Sutën tek ekipi i Luzit 2008, i cili për pak u ngjit deri në të Parën, por pa ia dalë dot. Me këtë afrim, verdheblutë zgjidhin përfundimisht çështjen e portës dhe shohin më të qetë për kompletimin e reparteve të tjera që ka nevojë skuadra. Sa u përket eksperiencave të “gardianit”, më herët ai ka qenë edhe pjesë e Apolonisë dhe Gramshit, ndonëse vetëm 23 vjeç.

Elbasanasit duan me çdo kusht ngjitjen në Kategorinë e Parë për këtë sezon, ndaj edhe Suta ka marrë në dorë “frenat e merkatos”, duke vijuar me zyrtarizimet. Një pjesë e lojtarëve do të jenë edhe nga tregu i huaj, ndonëse numri i tyre do të jetë i limituar, për shkak të rregullores që aplikohet në Kategorinë e Dytë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"