Elbasani “teston” Lushnjën, Gjyla me sytë nga “killeri” Canka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 10:42

Elbasani “teston” Lushnjën, Gjyla me sytë nga “killeri” Canka

Lushnjarët do të luajnë sot një tjetër ndeshje në fushë asnjanëse. Pas derbit me Apoloninë, që u luajt në Ballsh, një ndeshje tradicionale si kjo me Elbasanin do të luhet për të dytin sezon radhazi në stadiumin e Cërrikut. Nën drejtimin e teknikut Ilir Gjyla, lushnjarët kanë mbyllur dje përgatitjet për këtë ndeshje, ku kapiteni Fatjon Sefa nuk do të jetë sërish i gatshëm për shkak të një dëmtimi, por rikthehet mesfushori Arbër Mone.

lushnjaa

GJYLA – Në një deklaratë enkas për gazetën “Panorama Sport”, trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, shprehet me vlerësim për kundërshtarin, pavarësisht gjendjes ku ndodhet, ndërsa nga të tijtë kërkon që të jenë sa më seriozë në fushë. “Është një ndeshje që na duhet ta fitojmë, ashtu si dhe kundërshtarit. Do ta quaja një ndeshje radhe kampionati, ndaj një skuadre serioze. Vetëm emri sa i bën Elbasanit… Nuk e mbivlerësoj dhe nuk e kam frikë, por as nuk e nënvlerësoj. Elbasanin e kam parë në një ndeshje të luajtur në stadiumin e Lushnjës me Besën.

gjyla

Një skuadër me djem të rinj, por që dinë të luajnë mirë futboll, që vrapojnë në fushë dhe të mos harrojmë se kanë fituar në Orikum, ndaj një skuadre nga më të mirat në grupin tonë. Megjithatë, po e përsëris atë që kam thënë gjithmonë, të respektojmë veten së pari dhe pastaj edhe kundërshtarin. Vetëm kështu mund të marrim atë që duhet. U kam thënë çunave të jenë seriozë, sidomos për regjimin sportiv dhe pastaj në fushën e lojës. Dua që gjithë kjo punë që kemi bërë deri tani, të mos shkojë dëm”, ka theksuar trajneri Gjyla për gazetën. Lushnjarët kryesojnë Grupin B, me 12 pikë, ndërsa elbasanasit janë në fund të tabelës.

lushnja canka

CANKA – Sulmuesi i Lushnjës, Mikel Canka, është “ekzekutuesi” i Elbasanit. Ai i ka shënuar plot 9 gola këtij ekipi. Janë dy tripleta, më 22 tetor 2012 (Lushnja-Elbasani 3-0) dhe më 18 tetor 2016 (Elbasani–Lushnja 1-4), një dygolësh më 31 tetor 2015 (Luftëtari-Elbasani 5-0) dhe një gol më 22 shtator 2013 (Lushnja–Elbasani 2-0). Këtë sezon Canka ka shënuar në të gjitha ndeshjet e kampionatit, duke regjistruar 7 gola në 450 minuta. Ndaj Elbasanit i ecën dhe sot pritet të jetë sërish protagonist.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"