Elbasani shton “forcat”, ndaj Kastriotit llogaritë bëhen me pikët dhe… spektakël
Elbasani luan nesër përballjen me Kastriotin në “Elbasan Arena”, ku do kërkohet me çdo kusht fitorja. Verdheblutë janë të dënuar për të marrë tri pikët, në mënyrë që të mos lejojnë Bylisin kryesues të shkëputet si edhe të mos i cenohet të paktën vendi i dytë.
Optimizmi është në maksimum, sepse ata vijnë në këtë përballje pas dy fitoresh radhazi, madje duke bindur, sepse kanë shënuar tetë gola dhe duket se i kanë lënë pas gabimet e bëra deri tani. Ndaj krutanëve duket se të gjitha “kartat” për Nevil Deden janë në rregull për të marrë maksimumin.
STADIUMI – Elbasani ka një “bonus” të madh në këtë kampionat. Deri më tani, ka qenë perfekt në ndeshjet e luajtura në shtëpi. Tri i ka luajtur në “Elbasan Arena” dhe një në Rrogozhinë si pritës. Nuk ka gabuar asnjë, duke koleksionuar 12 pikë të plota. Duket se faktori fushë i frymëzon, kjo edhe prej tifozëve.
Skuadra është mësuar të japë edhe spektakël në “Elbasan Arena”, ku dy herë ka mundur me përmbysje në fund Vorën dhe Apoloninë në shifrat 3-2, si edhe ka shkatërruar Tomorin me rezultatin 4-0.
Verdheblutë kur janë pritës, mendojnë jo vetëm për të marrë thjesht fitoren, por edhe dhuruar spektakël për të pranishmit. Jo më kot luajnë në mbrëmje, sikundër do të ndodhë me Kastriotin.
RIKUPERIMET – Është thënë disa herë, që pushimi erdhi si me porosi për verdheblutë. Gjasat janë që edhe disa prej lojtarëve që kanë munguar në ndeshjet e fundit, të jenë të gatshëm. Bëhet fjalë për Bruno Telushin që ka mbaruar terapinë në Serbi apo edhe për sulmuesin Bobi Klement që po e kalon shqetësimin që ka në këmbë.
Ata po vijojnë stërvitjen me grupin dhe nëse do të jenë në formën e tyre më të mirë, nuk përjashtohet mundësia që të hidhen në fushë që nga minuta e parë.
Gjithsesi, situata e tyre po monitorohet me kujdes dhe vendimi mund të merret zyrtarisht sot. Në klub do ta shohin gjendjen e tyre shtruar, për të mos i rrezikuar. Më pak shpresa ka për Ardit Hoxhajn, Hektor Idrizajn dhe Jeton Krasniqin.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"