Elbasani, “shëtitje me ashensor” dekadën e fundit. Më shumë tremb… e ardhmja

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 4, 2019 | 16:00

Elbasani Kategoria e pare LAJMI KRYESOR Të fundit

Elbasani, “shëtitje me ashensor” dekadën e fundit. Më shumë tremb… e ardhmja

Elbasani është një nga ato klube që ka provuar gjithçka në futbollin shqiptar. Nga titujt kampionë dhe fitues i Kupës së Shqipërisë, deri te rënia në Kategorinë e Dytë.

elbasani

Edhe kur ka rënë, ka ditur gjithnjë të ringrihet, ndryshe nga sa po ndodh aktualisht, kur ky proces duket një mision i pamundur. “Panorama Sport” i bën një “skaner” Elbasanit të dekadës së fundit, nivelin ku ka luajtur dhe pozicionin që ka zënë në renditje. Dominon prezenca në Kategorinë e Parë dhe vendet e fundit.

Dy herë ka dalë kampion këto 10 vitet e fundit në sezonin 2013- 2014 në të Parën, duke siguruar kështu edhe ngjitjen në Superiore dhe në sezonin 2017-2018 në të Dytën, duke u ngjitur në Kategorinë e Parë. Vlen për t’u përmendur edhe një vend i dytë në sezonin 2009-2010 në të Parën, ndërsa shtatë sezonet e tjera kanë qenë për t’u harruar.

FINANCAT – Në fakt, dekada e fundit ka qenë e mbushur me probleme për Elbasanin, kryesisht të aspektit financiar. Probleme që nuk kishte si të mos reflektoheshin në fushë dhe në rezultate, teksa në të dyja rastet që ka milituar në Superiore, ka zënë vend të fundit dhe nuk ka mbijetuar më shumë se një sezon në elitë.

Capture1

E njëjta situatë edhe kur ka qenë pjesë e Kategorisë së Parë, sepse në të shumtën e rasteve këto 10 vjet ka luajtur thjesht për mbijetesë. Kështu, dekada e fundit ka qenë ndër më të errëtat në historinë e klubit elbasanas dhe nuk dihet se kur do të marrë fund rënia e lirë, pasi situata nuk duket aspak e mirë edhe për sezonin e ri që po troket.

E ARDHMJA – Ndonëse e kaluara e afërt nuk gëzon aspak në Elbasan dhe këtë e tregojnë shifrat, ajo që dhemb më shumë duket e tashmja dhe e ardhmja e afërt. E tashmja është e zymtë, sepse në klub nuk ka asnjë lëvizje për edicionin e ri.

Ngërçi financiar duket i madh, edhe për shkak të aksioneve, ndaj dhe për momentin kjo çështje duket se do ta mbajë “peng” klubin. Gjithsesi, nëse kaluan një 10-vjeçar të “zi” dhe e përtypën disi, në Elbasan shpresojnë që makthi të marrë fund një herë e mirë, ndonëse edhe për këtë sezon janë të destinuar të vuajnë sërish.

VLADIMIR MEMA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com