Elbasani, premio speciale për tri pikët në Pogradec. Administratori Çoku: Po investohet për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 14:01

Elbasani, premio speciale për tri pikët në Pogradec. Administratori Çoku: Po investohet për elitën

Akademia e Futbollit Elbasani po përgatitet për ndeshjen që do të luhet ndaj Pogradecit në transfertë, të dielën ora 14:00 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.

AF ELBASANI AF LUFTETARI

Pas fitores në start me Luftëtarin, verdheblutë synojnë një tjetër trepikësh, edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar që shihet si pretendent për ngjitjen në të Parën. Për të motivuar skuadrën në maksimum, klubi ka menduar edhe për një premio, nëse do të merren tri pikët.

Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe administratori Marenglen Çoku.

“E kemi nisur me këmbën e mbarë kampionatin dhe rezultatet janë shumë të rëndësishme në këto javë të para. Skuadra synon të vijojë me këtë ritëm dhe patjetër që në Pogradec do të tentojmë të marrim maksimumin. Klubi ka vendosur që në rast të një fitoreje në këtë ndeshje do të ketë një premio speciale për skuadrën”, u shpreh fillimisht Çoku.

Ndërkohë, një shpërblim ka pasur edhe pas fitores me gjirokastritët, edhe pse shifra që kanë marrë lojtarët nuk bëhet publike. Administratori foli edhe për objektivat dhe mundësinë e realizimit të tyre.

“Ky klub u krijua një vit më parë, për t’i ngjitur shkallët një e nga një deri sa të shkojë në elitë. Ndaj, këtë sezon investimet nuk kanë munguar dhe duam patjetër që të arrijmë ngjitjen. Me mbështetjen edhe të tifozëve, të cilët besoj se do të na ndjekin edhe në transferta, rruga do të bëhet më e lehtë. Megjithatë, e rëndësishme është t’i marrim gjërat me qetësi dhe çdo ndeshje ta trajtojmë si një finale”, përfundoi Çoku.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"