“Elbasani pjacë e lartë”, ish-kapiteni Merxha zbulon recetën: Ja si kthehet skuadra në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2020 | 15:27

“Elbasani pjacë e lartë”, ish-kapiteni Merxha zbulon recetën: Ja si kthehet skuadra në Superiore

Për herë të fundit në Superiore Elbasani ka qenë para 5 vitesh, në sezonin 2014-2015 dhe nuk dihet sa duhet të presë për t’u rikthyer në elitë. Kapiteni i ekipit të fundit në Superiore ka qenë Eriol Merxha, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” nxjerr në pah probleme kryesore dhe shpreson që verdheblutë të rikthehen atje ku u takon.

Merxha Erjol

Këto ditë karantine, si të gjithë, edhe ai është bërë nostalgjik, teksa kujton kohët e skuadrës kampione dhe nënkampione. Sipas Merxhës, ekipit i mungon aktualisht edhe një bazë me lojtarë cilësorë elbasanas në moshë të re, ndërsa pohon se zgjidhja e ngërçit me anglezët dhe bashkëpunimi më i mirë bashki-presidencë mund ta nxjerrë Elbasanin nga kriza e gjatë.

Pauza e kampionatit e gjen Elbasanin në vendin e fundit. Çfarë nuk ka funksionuar këtë periudhë te kjo skuadër?

Situata në ekip ende vijon të jetë e pafavorshme, ku dihet që vështirësitë janë të njëjta si çdo vit. Problemin më të madh e shoh te mungesa e një grupi të rinjsh, të cilët mund të rriten së bashku dhe gërshetuar me një grup më me eksperiencë, mund të bëjnë mirë. Po e shohim gjithashtu se me lojtarë të huaj nuk po e zgjidhim situatën.

Keni besim se situata mund të marrë për mirë pas Koronavirusit?

Nuk besoj se Koronavirusi ndikon për mirë apo për keq në skuadrën e Elbasanit, për më tepër që është edhe pa mbështetjen e tifozëve. Mendoj që asnjë ndikim nuk do të ketë kjo gjë për ecurinë e mëpasshme të skuadrës.

Merxha2

Si mund të shpëtojë Elbasani dhe të ringrihet në nivelet e dikurshme?

Elbasani është “pjacë” në Shqipëri dhe nëse ana financiare rregullohet, atëherë brenda ditës krijohet një ekip cilësor. Duhet ta pranojmë, të gjithëve u pëlqen të luajnë në “Elbasan Arena”.

Cilët janë fajtorët kryesorë për këtë gjendje dhe a keni ndonjë thirrje?

Së pari janë anglezët fantazmë, të cilët na lanë në rrugë dhe duhet zgjidhur kontrata me ta. Pastaj, edhe bashkëpunimi bashki-president duhet të funksionojë për ta kaluar momentin e keq.

Këto ditë karantine të gjithë janë bërë paksa nostalgjikë. Ju keni qenë pjesë e viteve të arta të Elbasanit…

Ne në Elbasan jetojmë ende me atë imazh të Elbasanit të bukur kampion dhe nënkampion. Për këtë arsye gjej rastin të falënderoj edhe fotografin Ferdinand Hazisllari që na i ka rikujtuar dhe RTSH-në që na transmeton ndonjë ndeshje.

Merxha me dy femijet

Kishit krijuar një ekip simpatik, me lojtarët më me zë të vendit, por vitin e parë sërish nuk e morët dot titullin…

Në ndeshjet direkt triumfuam ndaj Tiranës, e cila si çdo vit kishte super ekip me lojtarë të Kombëtares, por ne e mposhtnim nga trysnia e mrekullueshme e tifozëve tanë. Por, mbase nuk besonim që ishim për kampion, e besuam një vit më pas, kur u shpallëm kampionë. Sa i përket lojtarëve, në ato vite pavarësisht se kishim lojtarë VIP në ekip si, Bejzade, Dede, Osja etj., baza ishte me lojtarë elbasanas. Ne ishim më shumë se shokë si, Kotorri, Dalipi, Stojku, Çapja, Ahmataj edhe të tjerë me radhë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"