Elbasani përgatitet për sezonin e ri, porta i besohet një 17-vjeçari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 11:59

Elbasani përgatitet për sezonin e ri, porta i besohet një 17-vjeçari

Elbasani po vijon përgatitjet në kuadër të kampionatit të ri, edhe pse nuk ka gjasa të startojë në datën e caktuar. Duket se shtyrja i bën mirë skuadrës verdheblu, sepse do të ketë më shumë kohë në dispozicion për kolaudimin dhe për ndonjë afrim në merkato. Gjithsesi, “blerjet” më të mira verdheblutë i kanë brenda ekipit dhe ky është rasti i portierit 17-vjeçar Redon Gega.

redon gega

Pjesë e Kombëtares U-19, duket se këtë sezon ai do të marrë përfundimisht “çelësat” e portës në dorë, pasi në miqësore i është besuar një fanellë titullari. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai pohon se është përgjegjësi e madhe të mbrosh këtë katërkëndësh, por do të bëjë maksimumin sa herë që të jetë në fushë.

“Sezonin e kaluar kam debutuar me ekipin e parë dhe emocionet kanë qenë të mëdha. Nuk e di nëse këtë sezon do ta kem sërish këtë mundësi, por sa herë të më kërkohet, do të bëj maksimumin tim. Të mbrosh portën e Elbasanit është përgjegjësi e madhe, por edhe kënaqësi. Personalisht, mendoj se skuadra ka rritje nga viti i kaluar dhe uroj të mos jemi më në ato pozita, që të diskutojmë mbijetesën”, u shpreh portieri Gega.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"