Elbasani për të prishur “mallkimin” e fillim vitit. Verdheblutë s’fitojnë ndeshjen hapëse që nga 2012

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2018 | 20:43

Elbasani për të prishur “mallkimin” e fillim vitit. Verdheblutë s’fitojnë ndeshjen hapëse që nga 2012

Elbasani shpreson ta nisë me fitore ndeshjen e parë për vitin 2018, edhe pse përballë do të ketë një skuadër të vështirë si Maliqi. Kundërshtari konsiderohet si një ekip i fortë në Kategorinë e Dytë, ndaj verdhebluve u duhet shumë punë për të dalë të fituar nga kjo ndeshje delikate. Fakti që luhet edhe në transfertë e vështirëson akoma edhe më shumë situatën, por gjithsesi verdheblutë duan ta nisin me “këmbën e mbarë” dhe të ruajnë vendin e parë në klasifikim.

Megjithatë, përpos dëshirës për të marrë tri pikë të rëndësishme për ngjitjen në Kategorinë e Parë, verdheblutë do të shpresojnë të thyejnë edhe “mallkimin” e ndeshjes së parë të vitit. Thuhet kështu, pasi sipas një analize të “Panorama Sport”, elbasanasit radhiten te skuadrat që nuk e nisin mbarë vitin e ri, të paktën kështu thonë statistikat e 15 viteve të fundit që këtë herë janë kundër tyre.

elbasani-470x353

“MALLKIMI”

Me atë që po tregon Elbasani i këtij viti, mund të thuhet se ka shansin e mirë edhe për të thyer rekordet e këqija. Disa i ka thyer, të tjerë mbetet për t’u parë. Një rekord i tillë negativ është edhe ai i ndeshjes së parë të vitit. Kështu, në 15 vitet e fundit, elbasanasit kanë fituar vetëm 5 sfida, barazuar 2 dhe humbur plot 8. Fitorja e fundit në ndeshjen hapëse i takon vitit 2012, kur verdheblutë mposhtnin në shtëpi Skraparin në shifrat 3 me 1.

Fitorja më e thellë daton në vitin 2005, kur Elbasani mundi Laçin 7 me 0 dhe në fund të edicionit doli nënkampion i vendit. Për sa i përket një rezultati deri-diku pozitiv, siç është edhe barazimi, duhet të kthehemi 5 vite pas në 2013-ën, ku barazuan në transfertën e Naftëtarit në shifrat 1 me 1. Në katër vitet e fundit kanë dalë gjithnjë të mundur nga fusha e lojës. Ndaj Maliqit, elbasanasit kanë mundësinë që të rregullojnë disi edhe bilancin e ndeshjeve hapëse të vitit të ri, ndaj verdheblutë do të kenë një impuls më shumë për të tentuar fitoren në këtë përballje.

elbasani

SKUADRA

Ajo që bën optimist stafin teknik dhe tifozët është fakti se Elbasani ka një ekip të kompletuar dhe trajneri ka mundësi zgjedhjeje. Verdheblutë vazhdojnë të mos e njohin humbjen në këtë sezon futbollistik, ndërsa ngjitja një kategori më lart është një objektiv i panegociueshëm që duhet arritur me çdo kusht.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"