Elbasani “pa frena” në të Dytën, e nis kampionatin si 13 vite më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2017 | 15:01

Elbasani “pa frena” në të Dytën, e nis kampionatin si 13 vite më parë

Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Më i mbarë se kaq nuk mund të shkonte për Elbasanin, sepse pas katër javësh e sheh veten në vendin e parë të tabelës së renditjes në kuotën e 10 pikëve. Sigurisht, duke marrë parasysh se në ndeshjen me Skraparin do të merren tri pikët në tavolinë, për shkak të incidenteve që ndodhën në përballjen e së dielës.

Elbasani

Nëse vazhdohet me këtë ritëm edhe në vijim, atëherë ngjitja në Kategorinë e Parë mund të ndodhë që këtë sezon, edhe pse duhet pritur ende shumë javë për të krijuar një ide më të qartë rreth pretendentëve në Grupin B.

STATISTIKAT

Elbasani nuk është shquar asnjëherë si një skuadër që e niste mbarë kampionatin dhe të ishte në vendin e parë, në cilën do kategori ku ka milituar. Të paktën, kështu ka ndodhur vitet e fundit, ku me kalimin e javëve kanë ardhur edhe rezultatet. Mirëpo, këtë sezon ka bërë mjaft mirë deri më tani dhe janë rritur shpresat për të vazhduar me këtë ritëm.

Duhet të shkojmë 13 vite pas, atëherë kur Elbasani u shpall nënkampion i vendit, që në katër javët e para kishte koleksionuar 10 pikë. Në vitin pasardhës kur u shpall kampion, në katër javë kishte grumbulluar vetëm 8 pikë. Një nisje të mirë ka pasur edhe në vitin 2009, pasi në katër javët e para të kampionatit kishte grumbulluar 9 pikë.

statistikat elbasani

Në këto 15 vite të fundit, nisja më e dobët mund të konsiderohet ajo e vitit 2014, pasi koleksiononte katër humbje në po kaq ndeshje, rrjedhimisht 0 pikë. Atë sezon verdheblutë militonin në Superiore dhe, në fund të edicionit, ranë në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, në dy sezonet paraardhës në Kategorinë e Parë, verdheblutë kishin vetëm 3 pikë në katër ndeshjet e para, ku njëherë shpëtuan nga rënia në ndeshjen e fundit dhe vitin e kaluar ranë në të Dytën.

Pra, momentalisht, elbasanasit mund t’i gëzohen faktit se kanë bërë ndoshta nisjen më të mirë në histori, edhe pse duhet pranuar fakti që Kategoria e Dytë nuk mund të krahasohet me të Parën dhe për më tepër me Superioren. Gjithsesi, edhe pse aktualisht verdheblutë kanë me se të krenohen, fundi i kampionatit është ai që ka më shumë vlerë, me ngjitjen në të Parën që është kthyer në një detyrim.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"