Elbasani nuk njeh rival, verdheblutë janë në rrugën e duhur drejt ngjitjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2018 | 17:45

Elbasani nuk njeh rival, verdheblutë janë në rrugën e duhur drejt ngjitjes

Elbasani e ka marrë shumë seriozisht ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe, deri më tani, ka bërë një punë të mirë për sa i përket arritjes së këtij synimi. Që prej startimit të kampionatit janë në vendin e parë, por gjithsesi verdiktet do të jepen në fund të sezonit.

elbasani-470x353

Megjithatë, ecuria e deritanishme jep shpresë për javët në vazhdim dhe elbasanasit janë të bindur se do të dalin të parët e Grupit B. Ajo që i “ngroh” më shumë është startimi në vitin 2018, duke u kthyer në një “makineri” golash, pasi në tri ndeshje kanë shënuar 10 gola dhe kanë marrë pikët e plota.

Elbasani

SULMI – Pas mbylljes së fazës së parë dhe hapjes së merkatos së janarit, elbasanasit u përpoqën që të bënin disa afrime me aq mundësi sa kishin. Rikthyen Kasën, Suvarinë dhe Bullarin, por më shumë iu gëzuan rikthimit të Lutës pas dënimit prej 10 ndeshjesh.

Madje, gjatë fazës së parë, tekniku Merxha e vinte theksin te rastet e humbura në sulm, ndaj edhe kishin lënë pak pikë rrugës. Në tri ndeshjet e këtij viti mund të thuhet se çështja e sulmit është zgjidhur përfundimisht.

Pikërisht, zgjidhja vjen nga brenda grupit, ku në tri ndeshje protagonist është bërë sulmuesi Shamet Luta, i cili ka realizuar 6 gola, e përkthyer ndryshe tri tripleta ndaj Maliqit, Përmetit dhe Albpetrolit. I kanë mjaftuar vetëm tri sfida për t’u bërë edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe nëse vijon me këtë ritëm edhe në sfidat e mbetura, mund të synojë edhe “këpucën e artë”.

Elbasani-470x267

ORGANIKA – Por, përveç shënimit të golave, skuadra gjatë kësaj faze është përforcuar edhe në organikë dhe tani tekniku Merxha ka mundësinë ta kthejë kokën edhe në pankinë për të bërë lëvizje.

Nuk mungon konkurrenca në skuadër, aq sa titullarët janë “kërcënuar” nga dy talente nga të rinjtë që kanë zënë një vend stabël në formacion, siç është mbrojtësi Enis Dishani dhe mesfushori Arsen Lleshi. Gjatë fazës së parë, ka ndodhur që verdheblutë të mos udhëtonin të plotë në transferta për shkak të mungesave në organikë, kurse tani gjërat kanë ndryshuar.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"