Elbasani nuk e ka të lehtë as në të dytën, e presin tre ndeshje derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 17:45

Elbasani nuk e ka të lehtë as në të dytën, e presin tre ndeshje derbi

Rënia e Elbasanit në Kategorinë e Dytë mund të konsiderohet si një nga lajmet që bëri bujë sezonin që sapo lamë pas në futbollin shqiptar, për vetë emrin dhe pozitën që ky klub ka pasur. Mirëpo, tani verdheblutë duhet të mësohen me idenë për të luajtur në këtë kategori dhe të ndeshen me skuadrat që do të kenë përballë.

Elbasani

Sipas një vëzhgimi të “Panorama Sport”, verdheblutë i presin disa sfida të “nxehta” gjatë këtij sezoni, sidomos ato brenda “llojit”, pasi do të luajnë plot tri derbi: Me Sopotin, Gramshin dhe Domozdovën, ku nuk do ta ketë aspak një shëtitje me asnjë prej tyre. Edhe pse fillimisht duhet parë se si do të jetë ndarja e skuadrave nëpër grupe, pasi ka gjasa që të mos jenë të katërta në të njëjtin grup, mund të thuhet se elbasanasit i pret një “ferr” i vërtetë në transferta, jo vetëm në derbi, por ndaj të gjitha skuadrave.

DERBET

Më i “nxehti”, duke marrë parasysh edhe atë që ndodhi gjatë këtij sezoni kur të dyja skuadrat rivalizuan me njëratjetrën për të qëndruar në të Parën, por në fund ranë të dyja, pritet të jetë ai me Sopotin. Me shumë gjasa Sopoti mund të mos e ketë gati stadiumin e vet në Librazhd dhe kjo gjë mund t’ia lehtësojë sadopak punën verdhebluve. Në të kaluarën, ka pasur një “luftë” të vërtetë sa herë që elbasanasit kanë qenë mysafirë në Librazhd, ndaj konsiderohet edhe si i “nxehtë”.

Dinamo - Elbasani 1

Më pas, verdheblutë do të gjejnë përballë Gramshin, kundërshtar që para disa viteve e kanë pasur përballë në kampionat në Kategorinë e Parë dhe në transfertë elbasanasit kanë vuajtur shumë për t’i mundur, ndonëse kishin pretendime për t’u ngjitur në Superiore. Derbi i tretë është ai me Domosdovën e Përrenjasit, me tifozët e kësaj skuadre që mezi po e presin përballjen me Elbasanin dhe t’ua bëjnë “ferr”.

Dihet që për tifozët kundërshtarë ndeshjet derbi përballë një skuadre të konsideruar të madhe kthehen të veçanta dhe speciale për ta, ndaj verdheblutë duhet të bëjnë llogaritë edhe me këtë faktor për të dalë të fituar.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"