Elbasani në pikë të hallit, Laze: S’kemi marrë asnjë lekë nga bashkia për 10 vite, i fal aksionet nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2020 | 0:01

Elbasani në pikë të hallit, Laze: S’kemi marrë asnjë lekë nga bashkia për 10 vite, i fal aksionet nëse…

Përpëlitjet e Elbasanit mund të marrin fund shpejt, sapo të mbyllet çështja e gjyqit me palën angleze, një gjyq formal, sipas presidentit të ekipit verdheblu, Arben Laze. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Laze sqaron çështjen e gjyqit të shumëpërfolur me palën angleze, raportin me bashkinë e qytetit dhe vështirësitë që ai ka hasur për të mbajtur gjallë Elbasanin. Me të tjerash, ai pranon se Elbasani mund të kishte marrë fund me kohë, nëse do të kishte qenë për të tjerët, ndërkohë që vetë Laze është gati t’i falë aksionet e tij, nëse dikush shpreh gatishmërinë për ta ngritur ekipin.
arben laze 10 year challenge

Z.Laze, çfarë po ndodh me Elbasanin, që nga maja e futbollit shqiptar ka përfunduar gjyqeve?
Së pari, di të them se me gjyq, pa gjyq, personalisht nuk i jam ndarë për asnjë moment ekipit. Kjo është kryesorja. I jam përgjigjur me sa mundësi kam pasur, sepse ky klub do të kishte marrë fund me kohë. Mund të kem vetëm dy ndeshje pa e parë ekipin në këta 10 vjet. Në shi, në borë, në breshër, kam qenë gjithmonë aty. Çështja e gjyqit është diçka tjetër pastaj, që ne duhej ta kishim mbyllur, pavarësisht se ata nuk janë paraqitur në gjyq.

Kush janë ata?
Anglezët. Unë i kam informuar për gjithçka, u kam dërguar edhe dy shkresa noteriale për t’i vënë në dijeni, por nuk janë paraqitur.

Po bashkia e qytetit, që ka pjesën e saj të aksioneve, çfarë ka bërë këtë periudhë?
Bashkia nuk e ka vënë kurrë ujin në zjarr këto vitet e fundit, edhe kur kanë qenë anglezet. Çdo gjë e kam bërë vetë, edhe duke mos m’u njohur asgjë. E kam bërë si tifoz i ekipit, për të mos e lënë Elbasanin në baltë. Këta që flasin, duhet të kishin folur më përpara, duhej ta kishin ngritur zërin më parë. Duhej të jenë më dashamirës. Në momentin që kam shitur pjesën time të aksioneve të klubit, nuk kam bërë as më të voglin pazar. Në kontratë e kemi që ata duhej të likuidonin edhe palët e treta, ndonjë borxh që kishim ne si klub dhe më interesonte që të ishte klubi i pastër, ndaj mendova këtë zgjidhje.

Për të qenë më të qartë, ju keni gjyq më vete me anglezët dhe bashkia më vete?
Po, unë më vete dhe bashkia më vete. Ne e kemi të shkruar në kontratë që për 45 ditë pune, nëse nuk bëhet likuidimi financiar, sipas marrëveshjes, aksionet kthehen mbrapsht. Është gjithçka shumë e qartë. Tani problemi është se duhet një gjyq formal. Pala angleze nuk është paraqitur, u kam çuar edhe dy-tre “e-mail”-e. Çdo gjë është e saktësuar në kontratë dhe gjykata do ta mbyllë patjetër këtë çështje.

Më pas, pra pas gjyqit, çfarë do të ndodhë me Elbasanin?
Jam përsëri i hapur, jo për t’i shitur aksionet e mia, por nëse dikush mendon se mund të ngrejë ekipin e Elbasanit, edhe për t’ia falur. Unë përsëri do të mbetem aty, si dashamirës, ndoshta si kryetar shoqate, si tifoz i Elbasanit. Vetëm të marrë zgjidhje kjo punë. Siç nuk e kam lënë ekipin deri tani, nuk do ta lë prapë. Askush nuk e di që çdo shpenzim është imi, si tifoz. Shkoj për çdo gjë pas ekipit, interesohem për bazën materiale, uniformat, ushqimin, policisë private… Vetëm sa kam shpenzuar për ujin këto vite…
keshilli bashkiak elbasan
Bashkia nuk ju ka dhënë asnjë ndihmë financiare?
Bashkia ka 10 vjet që nuk jep kokërr leku.

A besoni se mund ta mbani Elbasanin në Kategorinë e Parë?
Do të luftoj në maksimum që Elbasani të qëndrojë në këtë kategori. Kohë kam që të bëj debate edhe me kryetarin e bashkisë. Kam ndenjur në qetësi në këtë periudhë, sepse nuk më interesojnë debatet para qëndrimit të ekipit në kategori. Unë do kem kohë të flas dhe do flas shumë…

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"