Elbasani ndal Bylisin, Kapllanaj: Skandal me gjyqtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2016 | 19:15

Elbasani ndal Bylisin, Kapllanaj: Skandal me gjyqtarët

Bylisi dhe Elbasani barazojnë 0- 0 duke i dhënë kështu më shumë mundësi Lushnjës që të shkëputet dhe të thellojë avantazhin. Duhet theksuar se për ballshiotët ka qenë një ndeshje me një mori rastesh, në një kohë që i janë anuluar dy gola. Ballshiotët kanë akuzuar gjyqtarët për sfidën e djeshme.

Ndeshja

Fillimisht Hyshmeri merr një asist nga Raboshta dhe shënon, por anësori e anulon për pozicion jashtë loje. Më pas, në të 20-ën është Simiç që gjuan dhe shtylla ndal topin. Më pas Meto pengohet në zonë dhe ballshiotët kërkojnë penallti, por arbitri nuk është i këtij mendimi. Në të 30-ën, është Kuçi që shënon një tjetër gol, por edhe këtë herë gjyqtari e anulon.

bylis elbasani

Ka tension, lojtarët ballshiotë i kërkojnë llogari arbitrit. Tifozët revoltohen nga padrejtësitë sipas tyre që i bëhen skuadrës dhe e kanë me gjyqtarin duke kërkuar drejtësi. Në pjesën e dytë janë sërish ballshiotët, të cilët hidhen në sulm. Kurse miqtë në të 80-ën rrezikojnë me Gicën, por Memaj bën mrekullinë në rastin e vetëm para portës së tij.

Kapllanaj

Pas ndeshjes së djeshme, presidenti i Bylisit, Agron Kapllanaj, u shpreh: “Katastrofë ajo që kam parë në ndeshje, sidomos nga anësori Nelaj dhe nga gjyqtari Halo. Me sa duket kishin ardhur me paramendim për të mos fituar Bylisi. Skuadra ka bërë një lojë shumë të mirë. Kemi dominuar totalisht. Por, na janë mohuar tri penallti dhe na janë anuluar dy gola më se të rregullt, aq sa edhe vetë elbasanasit janë habitur!

agron kapllanaj

Ky është kulmi dhe është turp që janë të njëjtët gjyqtarë që vetëm pak javë më parë i akuzoi Sopoti, madje dhe se do t’i denonconte në Prokurori. Si e marrin guximin këta dy njerëz dhe na hedhin investimin në erë në një ndeshje me rivalë direkt?! Nuk e kuptoj, si tallen me investimet tona dhe me një popull dhe qytet të tërë, pasi ata ishin totalisht me paramendim për të na dëmtuar!

Ne me Elbasanin kemi marrëdhënie shumë të mira, madje edhe miqësore dhe nuk është nevoja që të vijnë dy arbitra e të na dëmtojnë qëllimisht. Kjo është skandaloze dhe do të kërkojmë me anë të një kërkese zyrtare si klub nga sektori i garave që t’i ndëshkojë. Është e turpshme, por nuk është hera e parë që kanë tendenca ndaj Bylisit. Ne na mundi Tomori, barazuam me Dinamon, por pranuam rezultatin! Por, kështu s’na ka bërë vaki, këto janë ekstreme. Uroj dhe shpresoj që të mos përsëriten më me Bylisin”, ka theksuar Kapllanaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"