Elbasani mposht Orikumin dhe merr kreun, miqtë akuzojnë: Arbitrat hodhën valle!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2017 | 11:00

Elbasani mposht Orikumin dhe merr kreun, miqtë akuzojnë: Arbitrat hodhën valle!

Elbasani ngjitet në krye të Grupit B pasi likuidoi ditën e djeshme Orikumin në shifrat 2-0. Një penallti e shndërruar në gol nga Kotorri në fundin e pjesës së parë dhe rrjeta e Toçkës në të dytën, u dhanë mundësinë elbasanasve ta udhëheqin këtë grup.

Elbasani

Përpos lojës së fortë dhe luftuar nga të dyja kampet në fushë, nuk munguan kontestimet e miqve në rastin e penalltisë. Në këtë përballje ra në sy rikthimi i Renato Hyshmerit, i cili pasi mori uljen në 7 javë nga Komsioni i Apelit, klubi ka bërë pagesën për tri ndeshjet e tjera të mbetura duke e pasur të gatshëm për këtë sfidë.

NDESHJA

Përballja do të niste e qetë në minutat e para me Elbasanin që mundohet të marrë në kontroll lojën me qarkullimin e topit. Mirëpo, miqtë mbrohen mirë dhe në një terren jo në kushtet më të mira, skuadrat kanë vështirësi në ndërtimin e aksioneve të pastra. Veçohen goditjet standarde dhe krosimet, por gjithsesi bëhet shumë pak për të vënë në vështirësi portat respektive.

Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes do të vinte në fundin e pjesës së parë, me Toçkën që pengohet në zonë dhe për kryesorin ka penallti. Protesta të shumta të miqve, por Kotorri paraqitet të godasë nga pika e bardhë dhe nuk gabon duke i dërguar vendësit në pushim, në avantazh të një goli. Fraksionin e dytë Elbasani mundohet të qarkullojë topin dhe të mos u lërë hapësira miqve. Gjithsesi, për të vulosur fitoren mendon Toçka, i cili pasi merr një top në zonë, koordinohet dhe e dërgon sferën në rrjetë dhe 2-0.

REAGIMI

Administratori i Orikumit, Gëzim Çapo, ka akuzuar gjyqtarin e ndeshjes, Edvaldo Dyrmishi, për favorizim të Elbasanit.

“Ai kishte ardhur qëllimisht për të qenë i njëanshëm. Akoma e kam të freskët ndeshjen me Tërbunin për “play-off”-in, ku ky zotëri së bashku me asistentin e tij e bënë lojën bilbil. Kështu nuk vazhdohet më. Arbitrat duhet të jenë 50% me 50% dhe jo të përdorin faktorin fushë. FSHF-ja duhet të vendosë arbitra me më shumë personalitet.

Ne diskutuam të tërhiqnim ekipin te penalltia pasi kemi edhe pamje filmike, të cilat duken qartë. Arbitri kryesor në çdo rast shikonte asistentin Xhulio Mani, i cili ‘hodhi valle’ së bashku me kryesorin. FSHF-ja duhet të reagojë dhe të mos luajë me djersën tonë”, u shpreh i revoltuar Çapo.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"