Elbasani me dy klube futbolli/ Krijohet ekipi i ri, kapital 3.5 mln lekë dhe asnjë detyrim ndaj skuadrës aktuale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2021 | 13:16

Elbasani me dy klube futbolli/ Krijohet ekipi i ri, kapital 3.5 mln lekë dhe asnjë detyrim ndaj skuadrës aktuale

Krijohet Akademia e Futbollit Elbasani. Këshilli Bashkiak i Elbasanit, me propozim të bashkisë, unanimisht me 35 vota pro, ka miratuar krijimin e një klubi të ri futbolli, i cili sezonin e ardhshëm pritet të marrë pjesë nga niveli më i ulët i futbollit shqiptar, Kategoria e Tretë.

eLBASANIIII

Nga diskutimet në mbledhje dhe nga relacioni i paraqitur nga grupi i punës që përpiloi dokumentet, dolën në konkluzionin që kjo ishte mënyra dhe zgjidhja e vetme që futbolli në këtë qytet të rikthehet sërish në nivelet e dikurshme. Në relacionin që u është paraqitur këshilltarëve thuhet se klubi aktual KF Elbasani ndodhet nën administrimin e kompanisë “Manchester Group”, e cila prej kohësh nuk bëhej “e gjallë” dhe ishte e pamundur juridikisht që të gjendej një zgjidhje, ndaj pas shumë konsultimeve dolën në vendimin për krijimin e një ekipi të ri.

KAPITALI

Nga të dhënat në relacion saktësohet se kapitali themeltar i kësaj shoqërie do të jetë 3.5 milionë lekë të rinj, por që nuk bëhet fjalë për buxhetin në tërësi, pasi në bazë të nevojës dhe objektivave do të rritet, ndërkohë që do të ketë edhe financim nga donatorët. Pra, bëhet fjalë thjesht për një kapital vetëm fillestar për të ngritur shoqërinë aksionere, e cila do të jetë 100 për qind e Bashkisë së Elbasanit. Ky kapital është i ndarë në 100 aksione me vlerë nominale 35 mijë lekë të rinj. Sakaq, në relacion theksohet se logoja do të mbajë ngjyrat verdhë e blu, simbolet historike të qytetit të Elbasanit (Kullën e Sahatit, Murin e Kalasë), topin e futbollit dhe vitin e krijimit.

DETYRAT

Ky klub i ri futbolli do të ketë qartësisht pesë detyra: Organizimin e aktiviteteve sportive të futbollit; Krijimin e ekipeve zinxhir dhe pjesëmarrjen në garat sportive të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit; Aderimin dhe regjistrimin si klub në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe në të gjitha llojet e aktiviteteve të futbollit, kombëtare dhe ndërkombëtare; Futjen në tregun e lojtarëve, për të blerë dhe shitur lojtarë sipas tregut; Aktivitete të tjera në fushën e futbollit për interesat e shoqërisë dhe komunitetit.

DY EKIPE

Mirëpo, krijimi i Akademisë së Futbollit Elbasani nuk do të thotë domosdoshmërisht shkrirjen e skuadrës aktuale që militon në Kategorinë e Dytë. Bëhet fjalë për krijimin e një ekipi paralel dhe që varet tërësisht nga bashkia. Me pak fjalë, qyteti i Elbasanit do të ketë dy skuadra aktualisht, ku njëra Akademia e Futbollit do të luajë në Kategorinë e Tretë, ndërsa ekipi aktual do të vijojë normalisht të militojë në të Dytën, pasi këtë sezon ra nga kategoria. Ndryshimi është se ekipi i ri do të ketë financim nga bashkia, ndërsa ndaj ekipit aktual ky institucion nuk do të ketë më detyrime, por do të vazhdojë në situatën e mëparshme.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"