Elbasani, kalendari i jep një dorë për qëndrimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2020 | 0:06

Elbasani, kalendari i jep një dorë për qëndrimin

Me 9 pikë në 4 ndeshje, Elbasani po ecën me hap kampioni dhe jo një skuadre që synon qëndrimin në Kategorinë e Parë. Pas rifillimit të kampionatit, verdheblutë kanë tri fitore dhe një humbje, edhe pse kanë pasur një kalendar të vështirë, duke luajtur 3 herë jashtë fushe, në Fushë-Krujë, Orikum dhe Devoll.

Elbasani Turbina

Tek Elbasani besojnë më shumë se kurrë te mbijetesa, pasi në vazhdim favorizon nga kalendari. Janë gjashtë javë deri në fund dhe Elbasani ka katër ndeshje në shtëpi dhe vetëm dy në transfertë. Jo vetëm kaq, por në vijim elbasanasit do të kenë tri sfida radhazi në shtëpi dhe me nëntë pikë të mundshme do të fitonin siguri në renditje. Këto tri javë që verdheblutë luajnë në Elbasan, do jenë vendimtare për fatet e sezonit.

Fillimisht, mysafirë do të jenë lezhjanët e Shënkollit që mbyllin klasifikimin. Një përballje direkt dhe në rast fitoreje, Elbasani do ta nxirrte nga gara një kundërshtar direkt. Pas Shënkollit vjen Oriku, një kundërshtar komod në klasifikim, por nuk do të jetë e lehtë për verdheblutë.

Ndeshjen e tretë radhazi brenda Elbasani e ka me Ilirinë, një kundërshtar që e ka mundur në të tria ndeshjet e mëparshme dhe do kërkojë “pokerin”. Në transfertë luhet derbi me Turbinën, pastaj elbasanasit presin Devollin dhe e mbyllin në fushën e Shënkollit. Këtë sezon verdheblutë kanë treguar se më shumë pikë marrin jashtë fushe se në shtëpi.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"