Elbasani, flet drejtori Dalipi: Duam lojtarë në çdo repart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2019 | 19:33

Elbasani, flet drejtori Dalipi: Duam lojtarë në çdo repart

Elbasani i ka startuar përgatitjet 10 ditë më parë, por në skuadër duket se nuk po lëviz asgjë. Pjesa dërrmuese e lojtarëve të sezonit të kaluar nuk ka dalë në stërvitje, ndërsa për afrime nuk mund të flitet ende, përjashto disa të rinj. Gjithsesi, në Elbasan besojnë se deri në fillim të kampionatit situata do të ndryshojë dhe pritet me padurim ligji për sportin, që mund të thithë më shumë investitorë.

Elbasani

Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtori teknik i verdhebluve, Sabri Dalipi, flet për skuadrën aktuale, por pa përmendur objektiva konkretë. “Ishte e nevojshme nisja e përgatitjeve dhe ka të paktën 10 ditë që ato po vazhdojnë normalisht. Kryesisht, kanë dalë në stërvitje djem të rinj dhe një pjesë e lojtarëve të edicionit të kaluar. Na duhen përforcime në të gjitha repartet, duhen afrime që të kenë cilësi, në mënyrë që t’i japin një tjetër impuls skuadrës. Sa u përket objektivave, tani që flasim skuadra është për mbijetesë, por duke qenë se në klub presim zhvillime pozitive, nuk mund t’i vëmë objektiva vetes që në këto momente. E tillë është situata”, u shpreh fillimisht drejtori teknik i elbasanasve.

Për Dalipin, një shpresë është ligji i sportit, që flitet se do të miratohet nga qeveria në muajin shtator. Sipas tij, miratimi i këtij ligji mund të afrojë biznesmenët drejt sportit. “Tani po e shohim që pjesa dërrmuese e klubeve shqiptare kanë probleme të mëdha dhe ligji i sportit shihet si shpëtim. Edhe Elbasani nuk mund të bëjë përjashtim nga kjo gjë. Mendoj se sido që të jenë gjërat këtë sezon, klubi nuk duhet ta vërë në diskutim mbijetesën dhe sezonin e ardhshëm të luftojë fort për t’u ngjitur në Superiore. Kjo, duke parë situatën që është momentalisht, sepse normalisht duam të ngjitemi që këtë sezon në elitë”, e përfundoi prononcimin për gazetën drejtori teknik, Sabri Dalipi.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"