Elbasani feston në stadium, luan edhe për një rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2018 | 16:34

Elbasani feston në stadium, luan edhe për një rekord

Elbasani pret që të dielën të zyrtarizojë ngjitjen në Kategorinë e Parë, ku mjafton të mos humbasë ndaj Maliqit për ta realizuar këtë synim. Me një bilanc prej 20 fitoresh dhe pesë barazime, pa pësuar asnjë humbje në kampionat, pritet që verdheblutë të shpallen kampionë të Grupit B. Luftës së gjatë dhe të ashpër në këtë kategori, për më tepër që elbasanasit luanin në një territor të panjohur, i ka ardhur fundi dhe kanë mbetur 90-të minuta për ta mbyllur sezonin.

elbasani-470x353

Mirëpo, përpos realizimit të objektivit parësor, elbasanasit luajnë edhe për një rekord prestigji, atë të mbylljes së kampionatit pa asnjë humbje. Duket një objektiv më se i arritshëm, për më tepër që elbasanasve u duhet patjetër një pikë që të sigurojnë ngjitjen në të Parën. Fillimisht çështja e humbjeve nuk u mor shumë seriozisht në klub, pasi rëndësi kishte ngjitja, por është pikërisht ky fakt që u ka dhënë mundësinë verdhebluve të jenë para Orikumit dhe Albpetrolit. Gjithsesi, festa të shijon më shumë në fund, nëse përgjatë gjithë sezonit askush nuk ia ka dalë që të mposhtë dhe i ke mundur të gjithë rivalët.

STADIUMI – Për ta bërë sa më të bukur ngjitjen, Elbasani do ta luajë ndeshjen e fundit me Maliqin të dielën në “Elbasan Arena”. Pas sfidës me Tepelenën që u luajt në këtë impiant, është vendosur që edhe ndaj Maliqit të luhet në stadium dhe jo në kompleksin “Shefqet Lamçja”, aty ku i zhvilluan të gjitha ndeshjet përgjatë gjithë sezonit.

Duke qenë se Elbasani pret ngjitjen në Kategorinë e Parë, pritet edhe një mbështetje e konsiderueshme tifozësh, ndaj festa duket më e bukur në “Elbasan Arena”. Për më tepër që, sipas të gjitha gjasave, edhe hyrja do të jetë e lirë. Me ngjitjen e skuadrës në Kategorinë e Parë pritet që “Elbasan Arena” të kthehet sërish “shtëpia” e skuadrës dhe verdheblutë të mos i zhvillojnë më ndeshjet në komplekse të tjera.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"