Elbasani ende pa asnjë projekt, rrezikohet eksod masiv i lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2017 | 20:04

Elbasani ende pa asnjë projekt, rrezikohet eksod masiv i lojtarëve

Në kohën kur nga klubi i Elbasanit nuk ka asnjë informacion rreth të ardhmes së skuadrës për këtë sezon në Kategorinë e Parë, “Panorama Sport” u jep një pasqyrë të futbollistëve që janë larguar zyrtarisht nga klubi dhe pjesës tjetër që e kanë ende me mëdyshje qëndrimin ose jo në skuadër.

Elbasani

Pjesa e të larguarave lidhet thjesht me rregulloren e moslejimit të lojtarëve që nuk janë nga Elbasani, ndërsa për sa u përket atyre që nuk dihet çfarë do të bëjnë, janë futbollistë nga Elbasani.

TË LARGUARIT

Bëhet fjalë për vetëm katër futbollistë, të katërt të afruar gjatë merkatos së dimrit. Dy prej tyre luajtën në formacionin bazë, ndërsa dy të tjerët u panë si alternativa gjatë kampionatit.

Kështu, sulmuesi Niko Zisi dhe mbrojtësi Julian Gjinaj kanë mbyllur aventurën me Elbasanin dhe, për aq kohë sa verdheblutë do të militojnë në Kategorinë e Dytë, nuk do të kenë mundësi të mbrojnë ngjyrat e kësaj fanelle. Dy të tjerët janë sulmuesi Justin Dadaj dhe mesfushori Armando Zhupa, edhe këta preken nga rregullorja e këtij sezoni dhe largohen nga Elbasani.

elbasani

NË PIKËPYETJE

Në listën e atyre që janë në pikëpyetje janë të gjithë lojtarët nga qyteti i Elbasanit, të cilët ende nuk e kanë vendosur të ardhmen e tyre. Shanset janë që një pjesë e mirë e tyre të vijojnë karrierën në këtë klub, si dhe një pjesë tjetër të shohë për alternativa më të mira.

Nga kontaktet që gazeta ka pasur me një pjesë të mirë të lojtarëve, ata janë në pritje të një projekti të klubit për këtë sezon në Kategorinë e Dytë. Aktualisht, asnjë nga futbollistët që janë në pikëpyetje për qëndrimin nuk ka firmosur me një tjetër skuadër, çka nënkupton se, në rast se i vjen një ofertë e mirë nga klubi verdheblu, atëherë mund të vijojnë karrierën në këtë klub.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"