Elbasani e veshi kuqezi, mbrojtësi 19-vjeçar i emocionuar: Ëndërr e realizuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2020 | 22:03

Elbasani e veshi kuqezi, mbrojtësi 19-vjeçar i emocionuar: Ëndërr e realizuar

Kristian Mataj ish te një nga zbuli met e Elbasanit sezonin e kaluar, ndërsa këtë vit, me pjekurinë që ka arritur, pritet që të jetë një nga pikat kyçe të ekipit që drejtohet nga trajneri Shkëlqim Lleshanaku. Ftesa e marrë nga trajneri i Shpresave, Alban Bushi, i cili i ka dhënë edhe minuta të mjaftueshme për të debutuar me kuqezinjtë është kurorëzimi i sakrificave dhe punës së tij. Në fakt, prej disa vitesh Elbasani nuk dërgonte futbollistë në Kombëtare dhe te Shpresat, pasi ka kaluar një periudhë krize.

mataj

MATAJ – I emocionuar, 19-vjeçari Mataj, shprehet për “Panorama Sport” se fanella kuqezi ishte një ëndërr e bërë realitet, por ai nuk kënaqet me kaq. “Normalisht, jam shumë i lumtur që u grumbullova me Kombëtaren U-21, madje edhe duke u aktivizuar. Është një ëndërr e bërë realitet, që në njëfarë mënyre shpërblen edhe punën që kam bërë deri më tani.

Përpiqem të jap gjithnjë më të mirën time si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje dhe do vazhdoj ta bëj për aq kohë sa do luaj futboll. Tani shpresoj të mos ndalem me kaq”, u shpreh fillimisht mbrojtësi i majtë i verdhebluve, tanimë edhe kontigjent i Kombëtares U-21. Mataj shpreson të rritet më tej me Elbasanin dhe të tregojë cilësitë e tij. Sezonin e kaluar u aktivizua në 24 ndeshje dhe në të gjitha titullar. “Në aspektin personal, them se kam bërë një sezon të mirë dhe shpresoj të vijoj me këtë ritëm. Besoj se këtë sezon skuadra nuk do të jetë në nivelin që të vërë në diskutim mbijetesën, sepse tani të gjithë jemi më të pjekur dhe janë bërë edhe disa afrime në merkato.

Jemi një grup që mund të surprizojmë këtë kampionat”, u shpreh më tej për gazetën një nga lojtarët më të spikatur të Elbasanit. Tani edhe pritshmëritë e ekipit ndaj tij janë më të mëdha, duke qenë kontigjent i Kombëtares Shpresa. Për sezonin e ri Elbasani ka bërë pesë afrime, që besohet se do ta përforcojnë ekipin, në mënyrë që të mos vërë më në diskutim mbijetesën.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"