Elbasani e nis nga viti “zero”, vazhdon kriza verdheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2019 | 17:12

Elbasani e nis nga viti “zero”, vazhdon kriza verdheblu

Elbasanit i ka mbetur vetëm emri, sepse me gjendjen që po kalon, nuk ka asnjë lidhje me një klub normal futbolli, për më tepër profesionist. Një skuadër që sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë, aty ku gara është mjaft e fortë, aq më tepër pas ndryshimeve në formulën e kampionatit.

Elbasani

Verdheblutë janë më të rrezikuarit për të rënë një kategori më poshtë, duke pasur parasysh situatën aktuale. Duket se sezoni 2019-2020 i ngjan vitit “zero” për Elbasanin, sepse në të gjitha aspektet duket sikur gjithçka do ta nisë nga fillimi.

VITI “ZERO”

Jo më kot thuhet se elbasanasit janë në vitin “zero”, pasi janë faktet ato që e tregojnë diçka të tillë. E nisin me aksionet e klubit, ku informacioni i vetëm është se ka një gjyq me palën angleze, por nuk dihet se deri në çfarë pike ka shkuar. Pa u mbyllur kjo çështje, situata do të mbetet në “ajër”. Për të vazhduar me datën kur do të nisin përgatitjet, që mungon, ndonëse kampionati po troket.

Klubi nuk e ka caktuar ende trajnerin e ri. Pas mbarimit të kampionatit të fundit, trajnerit Marsid Dushku i ka përfunduar kontrata dhe nuk është më “timonier” i Elbasanit. E njëjta gjë është edhe me lojtarët, ku secili po mendon se ku do të luajë sezonin e ardhshëm dhe do të qëndrojnë vetëm ata që nuk duan të largohen nga qyteti, ose nuk gjejnë skuadër tjetër më të mirë. Me pak fjalë, kur kampionati do pak më shumë se një muaj që të fillojë, Elbasani është “zero” nga të gjitha anët dhe duket gati e pamundur që të rikuperojë brenda pak javësh gjithë këtë kohë të humbur.

E ardhmja duket e zymtë, por gjithsesi mbetet e gjitha për t’u parë, pasi është i njohur fakti se në futbollin shqiptar mjafton të gjenden financat dhe skuadra ngrihet shumë më shpejt nga sa mendohet. Për momentin, Elbasani duket se është në vitin “zero”.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"