Elbasani, e gjithë Prefektura në krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2015 | 12:17

Elbasani, e gjithë Prefektura në krizë

Jaupi-ElbasaniNjë Prefekturë e tërë në krizë. Bëhet fjalë për atë të Elbasanit, e cila këtë sezon, si rrallëherë në historinë futbollistike, nuk ka asnjë skuadër që militon në Kategorinë Superiore. Jo vetëm kaq, por kriza i ka kapur edhe në kategoritë inferiore, teksa momentalisht asnjë skuadër nuk ka premisa për t’u ngjitur në elitë. Bëhet fjalë për Elbasanin, Sopotin, Turbinën dhe Shkumbinin që janë pjesë e Kategorisë së Parë, si edhe Domosdovën me Gramshin në të Dytën. 6 ekipe të përfshira nga kriza dhe një tifozëri, e cila ka braktisur shkallët e stadiumeve, ja vëzhgimi i “Panorama Sport”.

Elbasani

Dy herë kampionët e Shqipërisë, Elbasani, e njohur ndryshe edhe si skuadra mëmë e këtij Qarku, që pas daljes kampion para një dekade, është kapluar nga një krizë që ende nuk po zbutet. Herë në Kategorinë e Parë dhe herë në Superiore, ky klub është larg pritshmërive. Sezoni në vijim është ndër më të këqijtë në histori, teksa rrezikon edhe qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe duhet t’i bëjë mirë llogaritë për mbijetesën. Edhe pse ka stadiumin më të mirë në Shqipëri, vetëm një takim ka luajtur aty dhe është degdisur sa në një fushë në tjetrën. Tifozëria, nga ana tjetër, i ka braktisur. Objektivi: mbijetesa.

Sopoti

Në fillim të edicionit u mendua si skuadra që do të rivalizonte për në Superiore dhe do mbante lart “nderin” e Qarkut, por kjo ëndërr zgjati shumë pak. Humbjet me Dinamon dhe Luftëtarin e nxorën “de facto” jashtë luftës për në elitë dhe tani skuadra ndoshta duhet të kënaqet me një vend nderi në Kategorinë e Parë. Problemet me stadiumin, teksa ende nuk kanë një të tillë në Librazhd, kanë pasur ndikimin e tyre këtë sezon. Për fat, nuk i mungojnë financat dhe tifozëria që e ka ndjekur deri në Pezë Helmës, por me sa duket këto nuk mjaftojnë për t’u ngjitur në elitë. Objektivi: Superliga – vend nderi.

Turbina

Hyri rastësisht dhe “pa dashje” në Kategorinë e Parë, pas tërheqjes së skuadrës së Gramshit në kushte të vështira financiare. E nisën kampionatin me minus 3 pikë dhe aktualisht janë në kuotën e 5 pikëve, në zonën e rrezikut të rënies nga kategoria. Përballë e pret një sezon i vështirë për t’u përballuar. Për fat, i luan takimet në fushën e vet dhe e konsideron si armë plus. Objektivi: mbijetesa.

Shkumbini

Një ekip që nuk është mësuar të jetë në këto nivele dhe ky është një minus i madh. Prej vitesh të tëra në Kategorinë Superiore, edhe pse një qytet i vogël. Me rënien në Kategorinë e Parë, nuk kanë diskutuar ndonjëherë mbijetesën, përveç këtij sezoni, ku mbyllin klasifikimin me vetëm dy pikë. Do të konsiderohet si sukses i madh nëse ia dalin të mbijetojnë. Objektivi: mbijetesa.

Gramshi & Domosdova

Qarku i Elbasanit ka dy përfaqësues edhe në Kategorinë e Dytë, Gramshin dhe Domosdovën. Nuk mund të flitet për ngjitje më sipër, por nëse zënë një vend nderi, atëherë konsiderohet sukses. Objektivat: vend nderi – mbijetesa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"