Elbasani drejt greminës, ja çfarë i kujton Dukës presidenti Arben Laze…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2020 | 10:58

Elbasani drejt greminës, ja çfarë i kujton Dukës presidenti Arben Laze…

Sa më shumë përflitet i famshmi “skenar francez” në vendin tonë sa i përket kampionatit të futbollit, aq më shumë shtohen zërat kundër tij. Edhe në klubin e Elbasanit nuk janë dakord me këtë skenar, por kërkojnë që të luhen normalisht ndeshjet e mbetura të kampionatit ose në të kundërt ekipet e vendeve të fundit të mos bien nga kategoria, por të shtohet numri i pjesëmarrësve në Superiore sezonin e ardhshëm.

laze

I pari që u shpreh hapur kundër këtij skenari ishte trajneri Shkëlqim Lleshanaku, por në të njëjtën linjë janë edhe drejtuesit e klubit verdheblu.

LAZE – Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, presidenti i Elbasanit, Arben Laze, sqaron se është kategorikisht kundër këtij skenari. “Unë jam për të vazhduar garën dhe nuk dua të rrëzohem një kategori më poshtë nga një vendim në tavolinë. Nëse duhet të biem nga kategoria, le të ndodhë në fushë, sepse janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kampionatit.

laze-duka-sejdini

Për aq kohë sa të gjitha ekipet janë në garë për objektivat e tyre, nuk mund të jepen vendime në tavolinë dhe të dëmtohen klubet. Nëse më pas vendoset që nuk plotësohen kushtet dhe duhet të mbyllet kampionati, le të rrisin numrin e skuadrave në Superiore dhe të mos bjerë asnjë nga kategoria”, u shpreh fillimisht presidenti Arben Laze.

MESAZHI PËR DUKËN – I shquar si një nga presidentët e futbollit me më shumë batuta, Laze gjen kohë që edhe në këtë situatë të bëjë edhe pak humor, gjithnjë në lidhje me “skenarin francez”. Ai zbulon po ashtu mesazhin që i ka dërguar presidentit të FSHF-së, Armand Dukës, duke ia bërë të ditur se asgjë e mirë nuk na ka ardhur nga Franca, ndaj të mendohet mirë edhe për këtë skenarin që po përflitet, me një zgjidhje tjetër.

laze-duka-sejdini

“I kam dërguar një mesazh presidentit Duka rreth situatës aktuale të futbollit, duke i treguar këtë skenarin ‘e famshëm’ francez. I kam thënë që asgjë e mirë nuk na ka ardhur nga Franca, pasi presidenti i tyre, Makron, ishte ai që doli kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Më parë, të gjithë e mbajmë mend besoj, ishte një tjetër francez, Mishel Platini, i cili, në postin e kreut të UEFA-s, i mbajti anën e Serbisë për çështjen e dhunës së Beogradit ndaj Kombëtares sonë. Mjaftojnë këto dy raste për të mos marrë shembull nga Franca. Mendohu mirë, – i thashë, – mos e mendo skenarin francez për futbollin shqiptar”, u shpreh për gazetën presidenti i Elbasanit, Laze, duke zbardhur kështu ekskluzivisht edhe bisedën që ka pasur me kreun e FSHF-së, Armand Duka.

Në fakt, ky skenar dëmton shumë ekipe dhe bëhet fjalë për ato të traditës, siç janë Elbasani, Dinamo, Lushnja, Apolonia dhe Besëlidhja në Kategorinë e Parë. Kuptohet që dëmi është më i madh për Elbasanin, Dinamon e Turbinën, që me modelin francez do ta shihnin veten në Kategorinë e Dytë me një të rënë të lapsit, duke u zhdukur praktikisht nga harta e futbollit shqiptar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"