Elbasani drejt bojkotit të Kupës, drejtuesit ngrejnë duart lart: Nuk ka lojtarë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2017 | 14:50

Elbasani drejt bojkotit të Kupës, drejtuesit ngrejnë duart lart: Nuk ka lojtarë!

“Vapa ndoshta iku me gushtin, por kriza e Elbasanit jo”. Mbyllja e këtij muaji nuk solli asnjë zhvillim të ri në klubin elbasanas, pasi ende nuk është caktuar një datë për startimin e përgatitjeve.

Jaupi-Elbasani

Në klub kanë ngritur duart lart dhe duket sikur janë pajtuar me situatën e krijuar, për aq kohë sa pronarët e rinj nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëhet me skuadrën. Data më e afërt për të nisur punën duket e hëna e 4 shtatorit në rastin më të mirë, por nuk do të ishte çudi nëse nuk do të startonin as të hënën e parë të shtatorit dhe të shtyheshin në një tjetër datë.

Dosti Elbasani stervitje

KUPA

Që Elbasani nuk do të ketë pretendime në kupë, është diçka që dihet dhe pranohet nga të gjithë në këtë kamp. Përballë ” do të kenë Luftëtarin e Superiores dhe shanset për të kaluar më tej duken zero, duke parë edhe situatën në të cilën ndodhen dy kampet respektive.

Ka shumë gjasa që verdheblutë ta bojkotojnë këtë kompeticion dhe të mos dalin në fushë fare me gjirokastritët, duke hequr kështu dorë ende pa zbritur në fushë.

Dinamo - Elbasani 2

Sfida e parë është programuar për në 13 shtator në Elbasan, por verdheblutë nuk kanë bërë asnjë ditë stërvitje dhe nuk kanë asnjë lojtar të federuar, ndaj nuk kanë se si të luajnë një ndeshje futbolli. Vetëm nëse drejtuesit arrijnë të bëjnë brenda një jave atë që nuk e bënë dot brenda tri muajve: të përgatisin grupin dhe të bëjnë merkato, diçka gati e pamundur për t’u realizuar në kaq pak kohë.

Një tjetër mundësi, thjesht sa për të respektuar garën në këtë kompeticion, është që skuadra të dalë në fushë me të rinjtë, por edhe këta nuk kanë nisur stërvitjen ende dhe ndodhen në të njëjtën situatë si skuadra e parë e Elbasanit. Është e çuditshme dhe e paprecedentë kjo që po ndodh me këtë klub futbolli, për të mos thënë e turpshme dhe e dhimbshme.

Elbasani

Të dalësh nga gara pa e nisur ende atë, duke privuar edhe ata pak tifozë nostalgjikë që i kanë mbetur klubit është e padrejtë. Problemi nuk qëndron vetëm te kupa, pasi është një kompeticion që nuk ka asnjë vlerë përveç anës morale për një ekip në gjendjen e Elbasanit, por shumë shpejt do të startojë edhe kampionati, ndërsa Elbasani rri e diskuton ende nëse do të nisë stërvitja apo jo.

VLADIMIR MEMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"