Elbasani do një “dhuratë” nga Turbina/ Verdheblutë bëjnë llogari për të evituar rënien

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2021 | 21:43

Elbasani do një “dhuratë” nga Turbina/ Verdheblutë bëjnë llogari për të evituar rënien

Në Elbasan besojnë ende te mbijetesa, ndonëse shanset janë minimale. Jo çdo gjë është në dorën e tyre. Megjithatë, verdheblutë i kanë bërë disa llogari.

ELBASANIIIIIIIII

Ata shpresojnë që të fitojnë këtë fundjavë në Lushnjë dhe “luten” që të ndalet Flamurtari përballë Turbinës. Një kombinim i tillë do të shkurtonte diferencën në vetëm 1 pikë.

Andre Lima beson te pikët ndaj verdhejeshilëve, ndërsa për “Panorama Sport” garanton se do të japin maksimumin në fushë. Pasi ndëshkoi cërrikasit, do të bëjë çmos që të shënojë edhe këtë javë. “Në ndeshjet e fundit kemi treguar se skuadra ka potencial për të fituar ndaj kujtdo dhe janë pikërisht këto pikë që morëm, të cilat na futën sërish në garë për mbijetesë. Siç luajtëm ndaj Flamurtarit dhe Turbinës, duhet të luajmë edhe ndaj Lushnjës.

Elbasani

Vetëm ashtu mund të marrim fitoren dhe ky është i vetmi rezultat që na bën punë. Jemi në një situatë ku luajmë gjithçka për gjithçka, ndaj do të tentojmë maksimumin. Shpresoj që të shënoj sërish dhe t’i jap mundësinë skuadrës për të fituar dhe qëndruar në garë për mbijetesën”, tha autori i dy golave për verdheblutë.

Duhet thënë se një humbje në Lushnjë e zbret matematikisht ekipin nga kategoria, pa qenë nevoja të ndalet Flamurtari me Turbinën. Sakaq, edhe nëse fiton, duhet të shpresojë që vlonjatët të mos marrin fitoren ndaj cërrikasve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"