Elbasani dhe frika e rënies nga Kategoria e Parë, dy rrugëdalje ka për verdheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2020 | 21:48

Elbasani dhe frika e rënies nga Kategoria e Parë, dy rrugëdalje ka për verdheblutë

Ndërprerja e kampionatit nga pandemia e Koronavirusit ka dëmtuar më së shumti ekipet që ishin në formë. Elbasani nuk bënte pjesë te ky grup dhe nga java në javë nuk po i largohej vendit të fundit. Pushimi i detyruar mund të shërbejë si reflektim për këtë skuadër. Aktualisht, dy janë skenarët e mundshëm sa i përket vazhdimit të kampionatit: të luhet pa tifozë ose të pezullohet gjithçka. Të dy skenarët duket se i japin një dorë Elbasanit për të siguruar mbijetesën në raport me rivalët e tjerë.
Labinoti-Elbasani-3
TIFOZËT – Nëse kampionati rifillon dhe luhet pa tifozë, për Elbasanin nuk përbën asnjë problem. Ekipi verdheblu është mësuar të luajë pa praninë e tyre edhe kur ka qenë pritës, ndërkohë që mund të përfitojë në fusha kundërshtare, që në Kategorinë e Parë ndikojnë jo pak për ekipet e tjera. Me këtë skenar Elbasani e ka një avantazh të lehtë, gjithmonë në letër, sepse në fund e tregon fusha gjithçka. Duket paradoksale për një skuadër që dikur ka pasur “armën” më të fortë tifozërinë, që stadiumin bosh ta kthejë në avantazh.
Elbasani tifozet

PEZULLIMI – Në rastin më të keq, mund të pezullohet kampionati dhe Elbasani sërish do të ishte “i kënaqur”, edhe pse të gjithë duan që gjithçka ta vendosë fusha. Do të ishte më e ndershme. Nëse pezullohet kampionati, nuk do të ketë ekipe që bien nga kategoria dhe Elbasani kështu arrin objektivin e mbijetesës. Megjithatë, çfarëdo që të ndodhë, sezonin e dobët të verdhebluve nuk e zhbën asnjë skenar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"