Elbasani bën gati festën, Merxha: Sigurojmë ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2023 | 9:07

Elbasani bën gati festën, Merxha: Sigurojmë ngjitjen

AF Elbasani ka të gjitha mundësitë që të dielën të shpallet matematikisht kampion i Grupit B në Kategorinë e Dytë dhe kësisoj të sigurojë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Mjafton që elbasanasit të marrin tri pikët ndaj Labërisë dhe të realizojnë objektivin që i patën vënë vetes që në nisjen e këtij sezoni futbollistik. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i emëruar vetëm 4 javë më parë te verdheblutë, Eriol Merxha, pohon se kanë vlerësim maksimal për Labërinë.

Merxha2

Ai e konsideron një rival të denjë, por sipas Merxhës skuadra që drejton do që të mbyllë një herë e mirë edhe nga ana matematikore llogaritë me ngjitjen. “Përpara kemi një ndeshje të vështirë me një rival direkt që kemi pasur këtë sezon, ndaj përgëzime kundërshtarit dhe e respektojmë në maksimum. Ne shkojmë për të fituar dhe mbyllur matematikisht edhe llogaritë me ngjitjen. Ka qenë një objektiv i klubit dhe ka ardhur koha që ta realizojmë dhe kam besim se nuk do ta lëmë për ndeshje të fundit çështjen e ngjitjes, por ta sigurojmë një javë më herët”, u shpreh fillimisht tekniku elbasanas, i cili pasoi në detyrë Gentian Stojkun.

Ndërkohë, vetë Merxha nuk harron të theksojë se meritën më të madhe për arritjen e skuadrës e kanë pikërisht Stojku dhe ndihmësi i tij, Elton Ceno, që e lanë ekipin në vendin e parë. “Ne po shkojmë shumë pranë finishit dhe mbylljes me sukses të kampionatit, me një skuadër cilësore që e ka merituar nga fillimi deri në fund. Për këtë, meritën kryesore e kanë ata që e sollën deri në këtë pikë, Stojku dhe Ceno, të cilët përgatitën një skuadër të denjë dhe që meritojnë të ngjiten. Më lanë në dispozicion një ekip me cilësi dhe kjo tregon punën e mirë që kanë bërë”, përfundoi Merxha, i cili mori drejtimin e skuadrës katër ndeshje nga fundi dhe është shumë pranë arritjes së objektivit.

TIFOZËT – Për ndeshjen e së dielës me Labërinë në orën 15:00 në kompleksin me të njëjtin emër në Nartë të Vlorës, priten që të udhëtojnë tifozë të shumë të Elbasanit, për të ndjekur nga afër ekipin e zemrës. Duke qenë se në rast fitoreje, verdheblutë ngjiten zyrtarisht në Kategorinë e Parë, ultrasit janë organizuar që të udhëtojnë pasivisht drejt Nartës, për të festuar me skuadrën.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"