Elbasani, 4 etapa për rikthimin në elitë. Ja plani i verdhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2019 | 17:41

Elbasani, 4 etapa për rikthimin në elitë. Ja plani i verdhebluve

Elbasani kërkon rimëkëmbjen. Zyrtarisht kanë hyrë në sezonin e pestë jashtë Kategorisë Superiore, ndaj në klub ëndërrojnë rikthimin e madh.

Elbasani

Kjo duket sfida më e madhe për drejtuesit. Një mision pa dyshim shumë i vështirë në kushtet ku ndodhen, por nëse zgjidhen disa çështje, atëherë rruga për në elitë do të bëhet më e thjeshtë. “Panorama Sport” evidenton etapat kryesore që presin të marrin zgjidhje këtë sezon, për të tentuar më pas elitën dhe të gjitha bashkohen në një pikë: gjyqi.

GJYQI

E ardhmja e klubit është e lidhur pashmangshmërisht me gjyqin që klubi ka me anglezët. Është kthyer në një “rebus” më vete kjo histori, por ende nuk bëhet e ditur asnjë datë për palët që të përballen me njëra-tjetrën dhe t’i jepet rrugë kësaj çështjeje. Nëse zgjidhet shpejt, atëherë do të nisë puna për të shitur sërish aksionet te të tjerë investitorë. Dhe duhet thënë që ka qenë vetë presidenti Arben Laze, i cili ka konfirmuar se biznesmenë të ndryshëm, shqiptarë e të huaj, janë interesuar për verdheblutë.

AKSIONET

Pas përfundimit të gjyqit, pritet të nisë një tjetër “telenovelë”, ajo e shitjes së aksioneve. Deri më tani gazeta ka zbuluar se interes ka shfaqur një biznesmen italian dhe një vendës, me këtë të fundit që është më pranë klubit, por për momentin gjithçka është në kuadrin e fjalëve dhe bisedimeve sporadike, sepse nuk ka asgjë konkrete. Pas shitjes së aksioneve, duhet të zgjidhet trajneri i ri.

TRAJNERI

Deri më tani ka dalë në skenë emri i Orges Shehit, por ai do të pranonte pankinën verdheblu vetëm nëse do të merrte garancinë për ngritjen e një ekipi pretendent. Në të kundërt, elbasanasit do të fokusohen te trajnerët vendës, ata të cilët e kanë mbajtur në këmbë gjatë gjithë këtyre viteve. Pas zyrtarizimit të trajnerit do të fokusohen te merkatoja dhe afrimi i lojtarëve cilësorë.

MERKATO

Çdo vit Elbasani bën merkato, edhe pse i kanë munguar paratë, por thjesht me lojtarë të nivelit mesatar apo të rinj. Këtë sezon pritet të shihet nëse do afrohen ata elementë që do të bënin diferencën, apo do bëhen afrime të sforcuara. Vetëm pasi të shihet grupi, mund të thuhet se çfarë objektivash do të kenë.

SUPERLIGA

Janë pikërisht këto etapa për t’u kaluar këtë sezon, për të arritur te qëllimi: Superiore. Nëse njëra prej tyre do të çedojë, vështirë se do të realizohej objektivi. Si për ironi të fatit, të gjitha lidhen me gjyqin ndaj anglezëve, sepse nëse ai nuk merr zgjidhje shpejt, rrëzohen me radhë të gjitha hallkat, që nga shitja e aksioneve, trajneri dhe merkatoja. Dhe automatikisht, për sezonin 2019-2020 verdheblutë do të mjaftoheshin me mbijetesën.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"