EKSKLUZIVE/ “Si u rrëzuam në vitin 2004”, ish-trajneri: Në Vlorë ka vetëm drejtorë, ja kush e dëmton Flamurtarin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Qershor 19, 2020 | 0:18


EKSKLUZIVE/ “Si u rrëzuam në vitin 2004”, ish-trajneri: Në Vlorë ka vetëm drejtorë, ja kush e dëmton Flamurtarin (E PLOTË)

Flamurtarin e kanë dëmtuar në çdo kohë njerëzit që kanë qëndruar afër presidentëve. Kështu mendon ish-trajneri i vlonjatëve, Ardi Bozhani. Tekniku që sot jeton në Amerikë, kthehet pas në kohë dhe skanon periudhat më të errëta të kuqezinjve. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, na tregon vështirësitë e sezonit 2003- 2004 kur edhe ranë nga kategoria. I është dashur që të qëndrojë pa rrogë për muaj të tërë, ndërsa rrëfen se fanellat e lojtarëve pas çdo stërvitjeje i lante nëna e tij.bozhanii

Të ardhurat e vetme financiare vinin prej trajtimit ushqimor nga Bashkia e Vlorës, një shumë që shkonte në 12 mijë lekë të rinj në muaj për 18 lojtarë. Ka kujtime të hidhura edhe për gjyqtarët, ndërsa evidenton se e shikonin ekipin si pa zot. Edhe pse e vlerëson si shkëlqim kohën kur klubi administrohej prej Shpëtim Gjikës, thotë se me Flamurtarin abuzuan shumë njerëzit që qëndronin pranë ish-kryebashkiakut.

Bozhani, çfarë mbani mend nga sezoni 2003-2004 kur Flamurtari ra nga kategoria dhe ju ishit trajner?

E kam marrë ekipin në mes të korrikut. Flamurtari iu ofrua shumë trajnerëve vlonjatë dhe asnjë nuk e pranoi. Unë isha trajner i të rinjve dhe më është thënë të filloja punën për të stërvitur ekipin në periudhë tranzitore, pra sa të krijohej grupi i plotë. Fillova punën me idenë se ishte periudhë e shkurtër, por nuk ndodhi ashtu.

Si rrodhën realisht ngjarjet 16 vite më parë?

Më është konfirmuar për të qenë trajner dy javë para fillimit të kampionatit. Ajo skuadër kishte në përbërje futbollistë që ishin të gjithë djem vlonjatë. Në grup kishte lojtarë shumë cilësorë. Shumë prej tyre ishin si kalimtarë, pasi prisnin kalimin në ekipet e tjera. Dukej qartë se te Flamurtari nuk kishte fare të ardhura financiare. E vetmja e ardhur ishte trajtimi ushqimor prej 12 mijë lekësh të rinj në muaj për 18 lojtarë të përcaktuar nga vetë Bashkia e Vlorës.104804224_689711448252434_4468531360482356868_n

Kush ishte asokohe në krye të klubit?

President “de facto” ishte Shkëlqim Selami, të cilin unë e kam takuar para kampionatit dhe dukej qartë se dëshira për t’i mbështetur lojtarët financiarisht nuk mungonte, por mundësitë ishin pothuajse zero.

Si e ndërtuat ekipin?

Ndërtuam një grup shumë simpatik ku në brendësi kishte edhe elementë shumë cilësorë. Dëshira ishte e madhe për të bërë diçka surprizuese, por kjo filloi të shuhej menjëherë pas fazës së dytë ku u vu re që lojtarëve u humbi totalisht besimi se do të ndryshonte diçka.

Cilat ishin problemet që kishin, na tregoni diçka më tepër?

Gjithnjë bëhej fjalë për një rrogë mujore të nivelit të ulët dhe mesatar, por edhe ajo nuk po dukej prej shumë muajsh. Kërkoja me ngulm për një pagesë të lojtarëve pasi shikoja në mënyrë të vazhdueshme se nuk më reagonin në stërvitje dhe kishin shumë të drejtë.

Sa kohë qëndruat si trajner?

Kam qëndruar afro gjashtë muaj si trajner dhe e lashë ekipin në vend të tretë nga fundi. Dënoheshim në mënyrë të vazhdueshme nga gjyqtarët. Dihet, edhe arbitrat na shikonin si skuadër pa mbështetje nga të gjitha aspektet. Atë vit u zgjodh kryetar i Bashkisë së Vlorës Shpëtimi, me të cilin kishim miqësi familjarisht. Kam komunikuar dhe vija re një dashuri të paimagjinueshme të tijën për futbollin. Unë e kisha të pamundur të vazhdoja, megjithëse Gjika këmbënguli shumë që të qëndroja…

Dhe pse nuk e pranuat ftesën e Gjikës, cili ishte shkaku kryesor?

Po shkatërrohesha shumë psikologjikisht. Po vija në dyshim të gjitha aftësitë e mia si trajner dhe kjo reflektonte shumë edhe në familje. Duke mos folur fare për aspektet financiare të cilat nuk i kisha kërkuar dhe nuk i kërkoja asnjëherë. Bëhet fjalë për 8 muaj, duke marrë parasysh që nga korriku nuk preka asnjë rrogë. Jo vetëm aq, por të gjithë bazën materiale e kisha personale. Jelekët stërvitorë laheshin nga mamaja ime dy herë në ditë për çdo seancë. Koha më e vështirë për mendimin tim për futbollin vlonjat ka qenë ajo periudhë.

Flamurtari5

Si e kujtoni ringritjen e Flamurtarit në atë periudhë?

Ringritja ka qenë vetëm e një njeriu dhe që quhet Shpëtim Gjika. Pasi mori totalisht frenat e klubit, ai arriti të ngrinte nëpërmjet mbështetjes së fuqishme financiare ekipin e Flamurtarit. Por, mendoj se me presidencën e Shpëtimit, Flamurtari duhet të kishte marrë shumë më shumë tituj. E kam pasur të qartë në mendjen time që me dashurinë e madhe që kishte ai njeri për ato ngjyra, ishte një supertifoz, por abuzuan shumë persona tek ai klub.

Pse e thoni këtë?

Kur erdhën financat e mëdha te Flamurtari, të gjithë filluan të afroheshin dhe ishin të gatshëm të rrinin e të flinin në klub vetëm që të bënin efekt te kryetari për të kapur ndonjë lek. Shumë pak persona u afruan kur Flamurtari ishte shumë keq. Bëheshin dhe kompetentë, e madje shumë prej tyre mendoj se u vinte mirë që Flamurtari humbte në ndeshje. Këta specialistë të vetëquajtur që mendonin se kishin shpikur futbollin, harronin se futbollin e kishin shpikur në Angli e jo në Vlorë.

Aktualisht Flamurtari gjendet po në ato pozita dhe i rënë psikologjikisht, pse mendoni se ndodhet këtu?

Ka kohë që Flamurtari jepte shenja jo të mira. Nuk kam pasur asnjëherë shpresë se kuqezinjtë do të ngriheshin. Administrimi i zotit Idrizi, nëpërmjet deklaratave të mëdha, më jepte përshtypjen vitin e parë se do të ndryshonte shumë gjëra. Por, menjëherë pashë disa zgjedhje në klub të cilat për mendimin tim linin shumë për të dëshiruar. Madje, dëgjoja se pothuajse të gjithë kishin titullin “drejtor”. Ua kishin kaluar dhe kompanive gjigante me tituj. Në vitet në vazhdim mua m’u krijua ideja e plotë se diçka e tillë do të ndodhte sepse është e pamundur të mbahesh sipër një filli shumë të dobët. Në 3-4 vitet e fundit Flamurtari gjithnjë ka rrezikuar.

Tani që është i rënë edhe matematikisht në Kategorinë e Parë, çfarë duhet të bëhet për ta rikthyer në elitë?

Është mënyra më e mirë për të ringritur Flamurtarin. Normalisht që rëniet nga kategoria janë shumë të dëmshme për një klub, por kanë disa gjëra të mira në qoftë se arrihet të zgjidhen persona të përshtatshëm me vlera futbollistike dhe mbi të gjitha njerëzore. Fillohet nga akademitë e moshave, paçka se ka mbi 15 vjet që themi ose thonë shpikësit e futbollit në Vlorë që kanë akademi.

Nuk kanë akademi të mirëfilltë, kanë abuzim maksimal futbollistik me fëmijët dhe të rinjtë që janë pranë klubit. Ka shumë vite që përqendrohen vetëm të arrijnë rezultate pa strategji futbollistike duke ndryshuar totalisht mentalitetin futbollistik vlonjat. E kanë kthyer në futboll force, fizik dhe asnjë gjë tjetër. T’i lëmë fjalët ekonomi tregu në futboll. Flamurtari ka nevojë për shumë vlonjatë në skuadër dhe dytre lojtarë shumë cilësorë e me eksperiencë nga qytete të tjera, gjithnjë në qoftë se ka të tillë lojtarë.

Duket se është rihapur edhe çështja e titullit kampion në Kategorinë Superiore. Cili ekip mendoni se e fiton kampionatin deri në fund?

Kampion këtë sezon shikoj Tiranën. E meriton totalisht. Lojëra të bukura dhe më pëlqen gërshetimi i lojtarëve me mosha të ndryshme. Vetëm nga akademia këtë vit janë marrë mbi 10 lojtarë të cilët janë pranë skuadrës.

Dimë që jeni në Amerikë, por me çfarë po merreni aktualisht?

Po, është e vërtetë. Unë jam në Amerikë familjarisht. Jetoj në Çikago. Punoj si përgjegjës në një kompani shumë të njohur, “American Nick”, me pronar shqiptar, i cili ka 25 vjet këtu në SHBA, Izidor Budina, dhe është nga Tirana. Bëra aplikimin për futbollin, fushën dhe pasionin tim dhe aktualisht jam me ekipin U-16 të “Chicago Fire”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com