Struktura, Superiore me 4 faza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2014 | 13:13

Struktura, Superiore me 4 faza

KEKomiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit zhvilloi të hënën mbledhjen e tij të radhës, ku u morën disa vendime të rëndësishme për Kategorinë Superiore, por jo vetëm. Kështu, KE-ja vendosi që kampionati i Kategorisë Superiore do të fillojë më datë 23 gusht 2014 dhe do të përfundojë më 16 maj 2015. Ky edicion, sikundër është bërë me dije që më përpara, do të luhet me katër faza, me sistem vajtje-ardhje. Në të do marrin pjesë dhjetë skuadra: Skënderbeu, Kukësi, Laçi, Teuta, Partizani, Flamurtari, Tirana, Vllaznia, Elbasani dhe Apolonia. Këto dy të fundit u ngjitën nga Kategoria e Parë, ndërkohë që zbritën një kategori më poshtë katër skuadra: Lushnja, Bylisi, Besa dhe Kastrioti. Sakaq, dje Komiteti Ekzekutiv vendosi gjithashtu se për edicionin e ri skuadrat, që do të renditet në vendin e nëntë dhe të dhjetë, do të zbresin direkt nga Kategoria Superiore, për t’u lënë vendin dy skuadrave kampione të dy grupeve në Kategorinë e Parë. Të njëjtin format federata e ka aplikuar për herë të parë (pas viteve 90′) në sezonin 2003-2004 dhe vijoi për tre sezone (2004-2005 dhe 2005-2006). Në 2006-2007 do të vinte sërish ndryshimi dhe, pasi ranë nga kategoria Skënderbeu dhe Lushnja, federata ngjiti nga Kategoria e Parë katër skuadra: Kastrioti, Flamurtari, Luftëtari dhe Apolonia. Më pas u vijua për 6 sezone kampionat me 12 skuadra, derisa në 2011-2012 shkoi në 14 skuadra. Mirëpo, u vërejt se masiviteti nuk përbënte cilësi, ndaj federata e ndryshoi sërish strukturën duke e rikthyer për 2014-2015 me 10 skuadra. Sakaq, dje u vendos që Kupa e Shqipërisë të ketë të njëjtin format sikundër pati këtë edicion dhe do të fillojë me ndeshjet e para më 29 gusht 2014. Fillimisht do të luhen turet paraeliminatore, me skuadra të kategorive të ulëta, dhe më pas do të vijohet në ndarjen në grupe dhe me eliminimet direkte. Finalja do të luhet më 23 maj 2015 (stadiumi për t’u përcaktuar). Përveç kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë, KEja miratoi formalisht, pasi punimet kanë kohë që kanë nisur, projektin e rikonstruksionit të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan. Po dje u miratua edhe projekti i investimit për një fushë minifutbolli në burgun e Fushë-Krujës, ky si një donacion i FSHF-së për Drejtorinë e Burgjeve.

Ja të mirat e Superiores me katër faza
Një kampionat me dhjetë skuadra dhe me 4 faza është konsideruar si gjetja ideale nga ana e FSHF-së. Kjo nisur nga një sërë aspektesh, duke filluar më së pari nga cilësia, pasi do të kemi më shumë ndeshje mes skuadrave më të mira (luhet 4 herë derbi Tirana-Partizani). Mirëpo, më shumë se kaq, klubet do të mund të përfitojnë edhe më shumë nga e drejta televizive. Shuma prej 600 mijë eurosh nuk do të ndahet më mes 12 skuadrave, por mes 10 të tillave, çka shton në mënyrë proporcionale të ardhurat e këtyre klubeve. Sakaq, federata pretendon se kështu do të rrisë edhe shikueshmërinë, pasi do të ketë ndeshje më të forta.

Kukesi-Skenderbeu-sulmohen-arbitratKE-ja “hakmerret” ndaj Apelit
Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga “Panorama Sport”, menjëherë pas rizgjedhjes së Dukës si president, është marrë vendimi për të “riformatuar”, ose e thënë thjesht, për të ndryshuar emrat e anëtarëve të gjyqësorit sportiv. Në fakt, kjo ishte një lëvizje e pritshme dhe e paralajmëruar, për vetë pakënaqësinë që kishin pasur krerët e institucionit, për disa vendime të tyre, sidomos Komisionit të Apelit. Vendime që u prishën qejfin drejtuesve të federatës, edhe pse bëhet fjalë për një institucion të pavarur dhe rrjedhimisht nuk duhet cenuar. Vendimet me dy standarde nga organet e drejtësisë sportive kanë qenë shpeshherë një problem në futbollin tonë. Rasti më flagrant i sezonit që sapo përfundoi ishte dënimi me heqjen e tri pikëve ndaj Flamurtarit dhe Kukësit, ku vlonjatëve nuk iu kthyen më, ndërsa veriorëve iu kthyen sërish. Madje, në rastin e Flamurtarit, ka ardhur pas një votimi 3-2. Vendimi i Apelit për Kukësin nuk shkoi përshtat me linjën e “shefave” në FSHF dhe menjëherë pasoi me një qëndrim të Komitetit të asaj kohe që, në fakt, ishte gjithashtu një skandal më vete. Kujtohet që dolën me një letër të hapur, ku i tërhiqnin “vëmendjen” Komisionit të Apelit, që të mos merrnin vendime me dy standarde, por mesazhi i nënkuptuar ishte më se i qartë; duheshin vendime në sinkronë me dëshirat e “shefave”, ose ata do të merrnin masa. Të gjendur deri diku para një pamundësie për të ndikuar plotësisht në komisione të tillë, me sa duket nuk vonoi as ndryshimi. U përfol se do të ideohej një ndryshim, duke përfshirë persona të gjyqësorit, por edhe disa që vinin nga fusha e sportit. Nuk rezultoi e tillë. Anëtarët e Disiplinës dhe sidomos të Apelit ishin personazhe shumë të njohur nga fusha ligjore në Shqipëri, duke qenë gjyqtarë, ish-kryetar gjykatash apo avokatë me emër. Ndoshta “pushteti” i tyre ka qenë një pengesë për t’i bërë edhe “marioneta”. Janë emëruar anëtarët të rinj në Apel, pikërisht kryetar Envi Hicka, Zv/kryetar Arjan Salati, anëtarë Bledar Abdullai, Altin Shkurti, Julian Haxhiu. Është për t’u parë në vazhdimësi puna e anëtarëve të rinj, nëse do ua “prishin qejfin” krerëve të FSHF-së me vendimet e tyre, apo Komiteti nuk do të ketë nevojë për të bërë sërish paralajmërime me letra publike…
Disiplina – Komiteti Ekzekutiv zyrtarizoi edhe anëtarët e këtij komisioni, ku ka pasur ndryshime, por jo shumë të mëdha. Përbërja është pikërisht kjo: president Sokol Çomo, Zv/ president Eno Bushi, anëtarë Mimoza Odhiseja, Sajmir Xhunglini, Ardian Haçi, Ermal Bime, Arben Shkëmbi, Ledio Pano, Ilir Lame, Kujtim Pagria.
FATION SHEHU

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"