Ekuban: Nuk luajta me sakrificë, mund të fitojmë sërish në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2017 | 17:09

Ekuban: Nuk luajta me sakrificë, mund të fitojmë sërish në Korçë

Kaleb Ekuban, ndonëse trembi shumë ambientin e kuq para ndeshjes, e tregoi veten duke mbetur njeriu gol i Partizanit. Edhe pse barazuan me Kukësin, italo-ganezi nuk i humb shpresat e titullit. Ndonëse luajtën më mirë se kundërshtari, Partizani nuk mori më shumë se një pikë. Barazimin e shikon si mungesë fati nga “demat e kuq” ndaj kuksianëve. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, përveç ndeshjes dhe çështjes së titullit, Ekuban ka sqaruar edhe zërat e sëmundjes që e shoqëruan gjatë ditës së djeshme.

ekuban

NDESHJA

“Nuk fituam ndaj Kukësit, edhe pse luajtëm shumë mirë. Futbolli i tillë është, kur nuk shënon një gol më tepër se kundërshtari, nuk ka vlerë. Mendoj se Kukësit pati fat, pasi erdhi një herë në portë, por shënoi. Çfarë mund të bëjmë? Ne zhvilluam një ndeshje të mirë. Mendoj se nuk ka shumë rëndësi të luash mirë në ndeshje të tilla kur nuk arrin të shënosh një gol më shumë se kundërshtari”, tha Ekuban.

TITULLI

“Kemi ndeshje shumë të vështira, si ne dhe rivalët tanë. Nuk ka mbaruar asgjë, pasi kemi edhe 4 javë deri në fund, ku janë edhe 12 pikë në lojë. Ne duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet ashtu siç Kukësi dhe Skënderbeu duhet. Prandaj kampionati është i hapur. Ne do ta provojmë deri në fund. Gara për titull vazhdon, pasi ka ende 12 pikë për të marrë dhe ne i duam të gjitha”, vijoi sulmuesi.

KALENDARI

“Nuk ka asgjë të vështirë në kalendar, gjithashtu nuk ndikon te ne fakti që ata që Kukësi i pret në shtëpi, ne i luajmë jashtë. Kemi fituar në Korçë dhe mund ta bëjmë përsëri. Mendoj se futbolli varet edhe nga momenti. Nëse je në formë të mirë mund të fitosh, nëse nuk je humbet”.

SAKRIFICA

“Nuk kam sakrifikuar, pasi doja të luaja në këtë ndeshje. Nuk mund të lija ekipin në baltë në një ndeshje si kjo. I thashë trajnerit ‘më lër ta provoj, nëse nuk ia dal më zëvendëso’. Është e vërtetë që ka pasur shumë zëra për mua, por mendoj se kam dhënë gjithçka në fushë. Nuk mendoj se kam luajtur më keq se ndeshjet e tjera dhe kam dhënë maksimumin”, sqaroi sulmuesi.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"