“Ekuban dhe Bushiç ma kishin frikën”, Zguro: Keqardhje për Luftëtarin, shpresoj të kap… Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2020 | 9:48

“Ekuban dhe Bushiç ma kishin frikën”, Zguro: Keqardhje për Luftëtarin, shpresoj të kap… Kombëtaren

U bënë gati 3 vite që ka lënë Shqipërinë dhe jeton në Amerikë, e megjithatë futbollit nuk i është ndarë. Vangjel Zguro vazhdon të luajë edhe në SHBA, ndërsa aktualisht mbron ngjyrat e FC Tusla (ekip i Ligës së Dytë). Angazhimet përtej oqeanit nuk e kanë penguar që të ndjekë Kategorinë Superiore dhe sidomos Luftëtarin.

Zguro

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi 27- vjeçar shpreh keqardhjen për rënien e gjirokastritëve dhe evidenton se skuadra vuajti prej keqmenaxhimit.

Ai kthehet në kohë, teksa kujton kohët e arta të bluzinjve. Gjithkush mund ta mbajë mend për ndërhyrjet e veta shpeshherë të ashpra dhe kjo ka bërë që lojtarë si Kaleb Ekuban me Tomislav Bushiçin ta kenë pasur frikë.

Vangjel, si është gjendja me “COVID-19” në qytetin ku ju banoni në Amerikë?

Nuk është ndier shumë në fakt, pasi në zonën ku unë banoj ka shumë pak të prekur. Unë jetoj në Tulsa Oklahama dhe familja ime apo edhe të afërmit nuk kemi pasur asnjë shqetësim.

Luftëtari ra zyrtarisht nga kategoria. Si e pritët lajmin?

Ju falënderoj për mundësinë e krijuar, pasi nga larg kam mundësinë që të shpreh dhimbjen e zbritjes së Luftëtarit një kategori më poshtë.

E prisnit që do të shkonte kështu?

Jo në fakt, unë bashkë me shokët e mi që ishim para disa vitesh. Mendoj se kemi bërë futbollin më të bukur pas Luftëtarit të Sefedin Brahos, Astrit Bonit, Theodhori Kallucit, Luan Seitit, Mustafa Hysit dhe shumë të tjerë. Mendoj se nuk është menaxhuar klubi, ndaj Luftëtari ra.

ZGUROO

Unë besoj dhe shpresoj se drejtuesit do ta ringrenë përsëri ekipin, pasi e meriton të jetë në vendin e tij. Më vjen shumë keq si për Luftëtarin dhe Flamurtarin. Janë ekipe me emër në Shqipëri dhe i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Janë dy skuadra që kanë nxjerrë shumë futbollistë në vendin tonë.

E keni ndjekur kampionatin shqiptar gjatë këtij sezoni?

Po. Pothuajse kam ndjekur çdo ndeshje. Diferenca në 7 orë që kemi me Shqipërinë, më lejon të kem kohë për të ndjekur Kategorinë Superiore. Kam parë ndeshje të bukura, me lojëra të forta dhe tërheqëse. Kampionati po bëhet interesant këtë vit dhe sidomos për vendet që të çojnë në Kupat e Europës. Nuk mund të them se cila skuadër do të presë një biletë, pasi deri më tani, veç Tirana që e shoh kampione dhe Kukësi i vendit të dytë e kanë të sigurt.

E quani të mbyllur garën e titullit?

Do kisha dashur që ta merrte Kukësi, por Tirana është shkëputur shumë. Kampionati duket i bardhebluve këtë vit dhe e kanë merituar për futbollin që po tregojnë.

Cili është ai moment që ju ka mbetur në mendje gjatë karrierës në Shqipëri?

Gjithmonë më vijnë në mendje emocionet e shumë ndeshjeve që kam luajtur me Luftëtarin dhe skuadrat e tjera. Dy janë emrat e lojtarëve kundërshtarë që në lojë e sipër më thoshin: “Avash se po vret, një ndeshje është dhe jo finale”. Dhe përgjigjja ime ishte kjo: “Çdo ndeshje është finale për mua”. Çdo takim e vlerësoja dhe e vlerësoj si të tillë, pavarësisht kundërshtarit, i dobët apo i fortë qoftë.

Meqenëse se e prekët vetë si temë, duam të dimë emrat e lojtarëve që kishin “frikë” se mos i dëmtonit.

Unë kam luajtur si mbrojtës i majtë dhe kisha të bëja me lojtarë jo vetëm të shpejtë, por edhe të fuqishëm fizikisht. S’do doja t’i përmendja emrat në fakt, por meqenëse insistoni do t’i zbuloj. Ishin Kaleb Ekuban i Partizanit dhe Tomislav Bushiç i Flamurtarit.

Zguro Kukesi

Ku po luani tani, na tregoni pak më shumë për veten?

Luaj futboll për ekipin e Tulsës, që militon në USL Championship, domethënë i bie Liga e Dytë këtu në Amerikë. Shpresoj që së shpejti të arrij të kap edhe Kombëtaren shqiptare.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"