Ekstremitet në hotelin e argjentinasit: Kush i afrohet Mesit rrezikon punën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2022 | 23:07

Ekstremitet në hotelin e argjentinasit: Kush i afrohet Mesit rrezikon punën

Në të gdhirë të ditës së sotme, Ekuadori dhe Argjentina mbyllën aventurën e tyre në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”, ndonëse bardhekaltrit e kishin siguruar me kohë pjesëmarrjen e tyre në Kupën e Botës këtë dimër (starton më 21 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor 2022). Gjithsesi, në Guajakil, ku përfaqësuesja mike kishte udhëtuar, media ekuadoriane ka mësuar se në hotelin ku akomodohej “Pleshti” me shokët e tij të kombëtares, ishin vendosur rregulla të hekurta.

mesi

Nuk ka dyshime se, kudo që 34- vjeçari Lionel Mesi shkel, vëmendja është e garantuar, por edhe euforia për të pasur një foto, një autograf dhe një kujtim me sulmuesin është në stratosferë. Por për të shmangur një kaos të tillë dhe për të mos bezdisur kapitenin e Argjentinës, të paktën nga stafi i punonjësve të hotelit, pronari i tij ka vendosur të caktojë një rregull ekstrem, për ato orë që Mesi do të qëndronte në Ekuador.

Siç raporton televizioni “TyCSports”, kushdo nga punonjësit e hotelit që do t’i kërkonte një foto e autograf, por edhe sikur qoftë të tentonte t’i afrohej duke e bezdisur Lionelin, do të paguante me shkarkimin e tij nga puna. Ndërkohë, për sa i përkiste një tentative fotoje apo autografi me lojtarët e tjerë të Argjentinës, dënimi mund të shkonte nga 1 deri në 3 muaj pa rrogë për çdo punonjës.

Gjithsesi, masat ekstreme në fjalë nuk ishin marrë vetëm brenda hotelit në Guajakil, por edhe jashtë tij policia vendëse kishte vendosur që të blindonte perimetrin e godinës. Për 36 orë u ndërpre qarkullimi në rrugët që rrethonin hotelin, ndërkohë që policia që garantoi qetësinë dhe mbarëvajtjen e qëndrimit të kombëtares argjentinase ishte e të gjitha njësive, nga ato normale deri te forcat elitare ushtarake ekuadoriane.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"