Eksperti i “Fair Play”-t Financiar: Duhen 157 milionë euro plusvalenca, Juvja s’e ka shlyer Ronaldon. De Ligt blerje e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 18:03

Eksperti i “Fair Play”-t Financiar: Duhen 157 milionë euro plusvalenca, Juvja s’e ka shlyer Ronaldon. De Ligt blerje e…

Po sikur Juventusi të ketë synuar afrimet e sivjetshme të Aron Ramsejt e Adrien Rabiosë, apo edhe atë të sezonit të kaluar të Emre Xhanit, që të gjitha me parametër zero, për t’i përdorur si mall shitjeje, për të mbuluar gropën në bilanc? Mund të jetë, duke parë nga ana tjetër se të paktën gjermani sivjet ka humbur gjurmët pas krisjes me trajnerin Sarri ndërsa francezi po has vështirësi në ambient dhe nuk bind. 

Juventus-v-FC-Internazionale-2019-International-Champions-Cup-1567794264-940x627

Fundja, nuk është hera e parë që Juventusi është gati të paguajë bonuse te menaxherët për lojtarët me parametër zero dhe më pas t’i shesë me shifra shumë herë më të larta si rastet Kingslej Koman, apo akoma më shumë Pol Pogba, për të shtuar plusvalenca stratosferike në bilanc.

Në të njëjtën kohë, “Zonja e Vjetër” ka treguar se di se si të bëjë mrekulli në merkato dhe është pasuruar shumë nga lëvizje të këtij lloji, por ndoshta shpenzimet e bëra në dy sezonet e fundit, për të synuar Champions-in dhe për t’iu afruar sa më shumë klubeve më të pasura të Europës, mund të ketë bërë që diçka të dalë jashtë bilanceve. Të paktën këtë shpjegon eksperti i “Fair Play”- t Financiar në Itali, Paolo Çabatini, sipas të cilit Juventusi nuk po arrin që t’i mbulojë ende shpenzimet e bëra për Kristiano Ronaldon dhe atë të Matajs De Ligtit, për një total prej 200 milionë eurosh, në dy sezone.

FLET EKSPERTI

Gjithsesi, se çfarë nënvizon Çabatini, shpjegohet më poshtë, ndonëse ai nuk është se i ka në duar bilancet e sakta të Juves: “Bilanci i mbyllur më 30 qershor 2019 është aprovuar, një ndër bilancet më interesante të vitit. Në të evidentohet një rritje e të ardhurave nga stadiumi, marketingu, të drejtat televizive, por pa konsideruar plusvalencat. Në këtë raport ekonomik specifikohet se arkëtimet janë të barabarta me 157 milionë euro, si rrjedhojë e 126 plusvalencave dhe më shumë se 20 huazimeve të lojtarëve, – bën hyrjen e tij eksperti financiar.

Agnelli-1809-speech-epa_5

– Supozojmë edhe sikur Juventusi, edhe në vitin 2020 t’i mbajë këto kosto të ekipit dhe këto arkëtime në shifra të njëjta, do të thotë se ata janë të detyruar që të bëjnë edhe sivjet 157 milionë euro plusvalenca. Kur blen një lojtar, shifra e tij vjen në ulje vit pas viti. Plusvalenca është diferenca mes vlerës së shitjes së kartonit dhe vlerës së regjistruar në librin e shpenzimeve. Dhe nëse gjithçka qëndron njësoj edhe sivjet, Juvja është e detyruar që të bëjë 150 milionë euro plusvalenca deri në verën e ardhshme, siç u mundua që të bëjë dëshpërimisht në atë të verës. Dëshpërimisht në këtë rast është edhe sinonim i gjërave madhështore që nuk di të bëjë askush, por 18 milionët e Sturaros dhe 27 milionët e Romeros janë sigurisht shumë.

Por Juventusi ka shitur me para kesh vetëm Kanselon për 65 milionë, duke pasur prej tij një plusvalencë 27 milionëshe, por kjo nuk është aspak e mjaftueshme. Dhe nëse shihni, edhe afrimet e bëra sivjet në verë nga Juventusi, janë lëvizje që fshehin pas tyre rezultate shqetësuese, duke qenë se lojtarë si Rabio apo Ramsej, me parametër zero, janë më tepër afrime për arsye ekonomike e plusvalencash, sesa teknike. Drejtuesit e saj po kërkojnë dhe po punojnë me shumë vrull edhe mbi të rinjtë, në mënyrë që deri në korrik, Juventusi të bëjë sa më shumë operacione në dalje, sidomos në radhët e të rinjve apo edhe kampionëve që përdoren shumë pak në skuadrën e parë, për t’iu afruar sa më shumë shifrës 157 milionë euro. Kjo, në mënyrë që bilanci i këtij sezoni të mbyllet jo më shumë se me 40 milionë euro humbje, për të shmangur normat e ‘Fair Play’-t.

cristiano-ronaldo-juventus-2019-20_1ugf7srkqp2ebzuj0obywuoky (1)

E vërteta është që Juventusi ka qenë gjithmonë skuadra më e saktë dhe e pagabueshme në strategjinë e saj të merkatos, por mëkati i tyre në dy sezonet e fundit është vendimi për të blerë dhe për të mbuluar me ar Kristiano Ronaldon. Dhe ndoshta CR7 i ka kthyer ato para në njëfarë forme, ndonëse kostoja nuk është mbuluar ende e gjitha, duke parë edhe dy vite të tjera kontratë që ka ende, por ajo që ka dëmtuar jo pak bilancin e bardhezinjve është blerja e Matajs De Ligtit. Afrimi i holandezit, të paktën sipas pikëpamjes sime, është totalisht e pajustifikueshme në aspektin ekonomik, por në të njëjtën kohë edhe teknik, por edhe etik, duke qenë se një 20-vjeçar fiton thuajse 3 herë më shumë se kapiteni Kielini. Gjithsesi, se cila është strategjia e Juves për ‘Fair Play’-n Financiar do ta shohim në verë”, përfundoi eksperti italian.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"