Eksperimenti i radhës, Ze Maria kursen 4 titullarë në përballjen ndaj Shënkollit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Nëntor 24, 2017 | 11:13

Eksperimenti i radhës, Ze Maria kursen 4 titullarë në përballjen ndaj Shënkollit

Surprizat nuk kanë fund te Tirana. Nëse një javë më parë u ulën në stol 3 titullarë, këtë herë do ta pësojnë 4 të tjerë. Të paktën kjo u pa gjatë seancës së djeshme stërvitore, gjatë lojës së zhvilluar brenda grupit. Ze Maria ideoi 11-shen për transfertën me Shënkollin dhe e sigurt është që do të rrotacion, kjo jo vetëm për të kursyer disa lojtarë për ndeshjen e mesjavës kundër Vllaznisë, por edhe për të treguar se te bardheblutë nuk ka të pazëvendësueshëm.

tirana

“Të ndëshkuarit”, Kërçiku, Doka dhe Ngoo, i rikthehen vendit të tyre në formacion, por ajo që ra në sy është që emra si Hoxhallari, Doka, Maveje dhe Karabeci, priten që të mos e nisin nga minuta e parë javën përmbyllëse të fazës së parë. Braziliani është i qartë si “pasqyra”, kur vjen puna te rreshtimi i ekipit, pasi gjithnjë ndodh që në fushë të hedhë ata që ka provuar edhe në stërvitje. Pra, nuk para ka vend për “sekrete”.

Vetëm porta nuk ndryshon, pasi mbetet “pronë” e Ilion Likës. Në mbrojtje do të rreshtojë katërshen Kërçiku-Uellison-Cake-Çelhaka. Dhe sigurisht, që mungesa më e madhe, e cila bie në sy, është e Ejron Hoxhallarit, lojtarit të linjës së djathtë, vendin e të cilit do ta zërë kavajasi Alket Çelhaka, autori i golit të dytë ndaj Apolonisë. Braziliani është kthyer në stërvitje dje, duke qetësuar jo vetëm mjekët, por edhe stafin teknik.

tirana formacioni

E njëjta situatë nuk vlen për Turtullin, i cili edhe pse është rikuperuar plotësisht, nuk është ende në 100% e tij, ndaj maksimumi, ai do të jetë i grumbulluar. Në kësi kushtesh, qendra e mbrojtjes i besohet Uellisonit dhe Cakes. Dyshja Karabeci-Maveje priten që të pushojnë për javën e 9-të, ndaj trajneri ka menduar që mesfushën t’ia besojë të rikthyerit Daja dhe Qilimit, ndërsa në krahun e djathtë do të vendosë sërish Grent Halilin dhe majtas, të riun Jurgen Vrapi.

E vetmja dilemë është për një vend në sulm pasi duhet thënë se janë provuar dy variante, Greca dhe Sentamu. Ata janë në balotazh për një vend dhe “fituesi” pritet që të luajë përkrah gjigantit anglez, Ngoo. Skema do të jetë ajo 4-4-2, por sigurisht mbetet për t’u parë nëse Ze Maria do i qëndrojë këtij formacioni edhe në fushë, pasi ndoshta këtë vendosje e ka bërë në stërvitje për të “turbulluar” lojtarët.

ADELA MERKO






www.minuta90.com