Eksod te Skënderbeu, Daja dhe Imami në prag “divorci”. Mesfushori drejt Partizanit, ndërsa mbrojtësi ka marrë ofertë nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2020 | 10:22

Eksod te Skënderbeu, Daja dhe Imami në prag “divorci”. Mesfushori drejt Partizanit, ndërsa mbrojtësi ka marrë ofertë nga…

Skënderbeu po vijon të boshatiset ditë pas dite dhe ende nuk po jep sinjale rizgjimi për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri. Një situatë që duket pak a shumë si ajo me të cilën korçarët u përballën sezonin e kaluar duke pasur vështirësi për të filluar si duhej kampionatin, gjë që u reflektua deri në fund të fazës së parë.

skenderbeu

E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe tani me klubin bardhekuq. I mbetur pa trajner për momentin dhe ndoshta edhe pa staf, korçarët nuk po mendojnë për asgjë veçse të largojnë lojtarët. Presidenti Ardjan Takaj dukshëm është duke pritur një lajm që do të vijë nga Gjykata Federale dhe deri atëherë nuk ka ndërmend të lëvizë asgjë në merkaton në hyrje. Një hezitim ky që mund t’u kushtojë shumë bardhekuqve për nisjen e sezonit të ri. Nga ana tjetër, veç mungesës së afrimeve, korçarët po përballen edhe me largime të njëpasnjëshme nga ekipi.

Pas zyrtarizimeve të katër lojtarëve të parë të larguar menjëherë pas ndeshjes së fundit me Partizanin, rrugën e tyre e ndoqën edhe tre lojtarë të tjerë që u transferuan jashtë vendit duke sjellë të ardhura në arkat e klubit bardhekuq.

imami

Por tashmë edhe dy futbollistë të tjerë duket se do të kërkojnë të mbyllin gjithçka me drejtuesit e Skënderbeut pavarësisht kontratës për rinovim opsional të kohëzgjatjes. Bëhet fjalë për Asion Dajën dhe Eni Imamin që luajtën si bardhekuq sezonin e fundit, por që duket se nuk kanë ndërmend të vazhdojnë një aventurë të tillë. Kjo për shkak se ofertat në drejtim të tyre janë bërë interesante dhe joshëse për të dyja palët.

ASION DAJA – I ardhuri nga Tirana, në fillim të sezonit te Skënderbeu lidhi një kontratë bashkëpunimi me bardhekuqtë për një sezon me opsion për të shtuar bashkëpunimin edhe një sezon tjetër. Por interesi i Dajës në këto momente nuk është më ai për të qëndruar te bardhekuqtë.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se pritet që pas disa ditësh të takohet me presidentin e Skënderbeut për të mbyllur me konsensus bashkëpunimin dhe të shohë një tjetër sistemim. Për momentin dëshira e lojtarit është një rikthim te Partizani, ndërsa edhe interesimi i Gjilanit dhe një aventurë në Kosovë e tundon.

asion daja skenderbeu

ENI IMAMI – Situata duket se qëndron më ndryshe për Eni Imamin. I ardhur në janar, mbrojtësi i majtë kishte një kontratë gjashtëmujore me mundësi opsionale për ta zgjatur edhe dy vite të tjera. Gjithçka në varësi të vendimit që do të vinte.

Në kohën kur ky vendim po vonon duket se është gati e pamundur që palët të presin ende. Interesimi i Kastriotit dhe ekipeve nga Kosova kanë prishur mendjen e Imamit, që tashmë ka filluar të tundohet. Gjithsesi takimi me presidentin e Skënderbeut do të hapë rrugën e vijimësisë si për njërin, ashtu edhe për tjetrin.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"