Eksod te Luftëtari, ikin 10 futbollistë. Nuk është vendosur as për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 8, 2020 | 10:12


Eksod te Luftëtari, ikin 10 futbollistë. Nuk është vendosur as për trajnerin

Te Luftëtari vazhdon eksodi, përtej dëshirës së presidentit Bekim Halilaj për të ruajtur 60-70% e boshtit të skuadrës së sezonit të fundit. Lojtarët që kanë shpallur “divorcin” dy ditët e fundit tregojnë më së miri se situata në kampin bluzi është e vështirë dhe shton dilemat për mënyrën se si do të paraqiten sezonin e ri në të Parën.

Futbollistet e Luftetarit

Fjala është për lojtarë si Arlis Shala, Alvi Ahmetaj, Ardit Ziaji, Elian Çelaj dhe Amer Duka, të cilët i dhanë “duart” Luftëtarit dhe aktualisht janë të lirë. Më parë janë larguar edhe Jurgen Dushkaj, Donald Açka, Aurel Demo, Armenis Kukaj dhe Redon Dragoshi, por burime konfidenciale për “Panorama Sport” bëjnë me dije se numri i të larguarve pritet të rritet. Deri tani janë 10 ata që mungojnë, një numër shumë i lartë për një ekip si Luftëtari.

SITUATA – Me këtë ritëm largimesh, i bie që situata te Luftëtari është shqetësuese. Mungesa e emrave “big”, si Franc Lala, Johan Çela, Erald Hyseni dhe Aldrit Oshafi në takimin e dy ditëve më parë lë hije dyshimi për një largim të mundshëm, edhe pse presidenti Halilaj theksoi se asnjë nuk ikën me parametra zero. Ofertat për bluzinjtë nuk kanë munguar. Rasti i fundit është ai i mbrojtësit Redon Dragoshi, i cili pak ditë më parë firmosi me Kukësin.

TRAJNERI – Në një kohë kur edhe minutat vlejnë më shumë se kurrë, Luftëtarit i mungon trajneri. Në Gjirokastër presin të mësojnë se kush do të jetë i pari i stolit. Presidenti Halilaj tha se ka kandidatura që do të suprimonin ambientin futbolldashës në Gjirokastër, por mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë realisht.

BORXHET – Detyrimet ndaj palëve të treta që klubi mbart nga sezoni i fundit kanë bërë që takimet “kokë më kokë” të mos shmangeshin në fundin e mbledhjes së ditës së enjte. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta se pronari i restorantit ku futbollistët janë trajtuar me ushqim, shoferi i autobusit me të cilin lojtarët lëvizën jashtë Gjirokastre ditët e ndeshjeve, si dhe mjeku i ekipit kanë diskutuar me presidentin Halilaj për shlyerjen e detyrimeve.

TOMOR SHEHU




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com