EKSLUZIVE/ “Komandante” Sadiku: Kontrata e jetës, Bolivia nuk ma heq Kombëtaren (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 23:50

EKSLUZIVE/ “Komandante” Sadiku: Kontrata e jetës, Bolivia nuk ma heq Kombëtaren (E PLOTË)

A si germa e parë e alfabetit. A si shqipërimi i Amerikës Latine. A si Armand Sadiku. Sulmuesi i Kombëtares tani është larguar shumë. Gjendet në hemisferën e jugut. Praktikisht në anën tjetër të botës për ne… 29- vjeçari ka pranuar të ndërmarrë një aventurë të re në karrierë. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Sadiku tregon pse zgjodhi Bolivarin, si lindi ideja e transferimit në Bolivi dhe si ishte prezantimi me skuadrën e tij të re. Sulmuesi që ka shënuar 12 gola në karrierë me Kombëtaren, ka kaluar po kaq ekipe në karrierën e tij. “Shumë më kanë thënë pse ike të luash aq larg. Por nëse paraqitem mirë, nuk besoj se do të më pengojë për Kombëtaren”, tregon ndër të tjera Sadiku për gazetën. Ushqimi, jetesa, objektivat e klubit dhe kontakti me trajnerin Reja apo stafin e tij të Kombëtares…
sadiku-vs-hulk-750x430
Sadiku, si e ndieni veten te Bolivari dhe çfarë skuadre keni gjetur?
E ndiej veten shumë mirë. U bënë gati tre javë që jam këtu. Në skuadër, trajneri dhe i gjithë stafi ashtu si edhe pesë lojtarë, janë spanjollë. Kjo më ka ndihmuar që të përshtatem më shpejt. Skuadra është një nga më të mirat në Bolivi. Skuadër me tradita, me shumë tituj dhe objektivat janë që të dalë kampion dhe të shkojë sa më larg në Kupën e Libertadores.

Si lindi ideja për t’u transferuar në Bolivi, si u bindët?
Nuk ishte një vendim i lehtë për mua. Mirëpo, kisha rreth gjashtë muaj që më kontaktonin. Pra, drejtori sportiv i Bolivarit ka qenë drejtues te klubi i Majorkës në Spanjë vitin e shkuar. Pra, unë kisha gjysmë viti që e dëgjoja këtë ofertë, duke qenë se drejtori ka marrëdhënie të mira me agjentin tim, dhe më është ofruar prej kohësh projekti që ka Bolivari.
Sadiku

Si është klubi i Bolivarit?

Klubi është shumë serioz. Tani bën pjesë edhe te “City Gropu”, pra një nga grupet më të fuqishme në botë që kanë në mos gaboj 11 skuadra në të gjithë botën. Presidenti i Bolivarit është një ndër njerëzit më të pasur këtu në Amerikën Latine. Është gjithashtu president i Gironës në Spanjë si dhe i skuadrës së Inter Majemit në Amerikë. Ishte një projekt shumë i madh, pasi duan që ta bëjnë skuadrën me arritje sa më të mëdha këtu në Amerikën Latine. Mirëpo, unë isha në Turqi, i fokusuar te skuadra dhe e kam shmangur. E vërteta është që gjatë gjithë kohës, agjenti im është kontaktuar për t’u pyetur rreth situatave të mia.

Si u bindët ta linit Europën?

Erdhi një moment kur unë nuk po luaja në Turqi. Kisha vështirësi tek Erzurumspori. Plus që ndodhën gjëra në skuadër, pasi shumë lojtarë u hoqën. Ndaj u binda që të largohesha dhe prishëm kontratën.

Keni pasur interesime të tjera në merkaton e dimrit?

Po kam pasur disa.

Cilat skuadra u interesuan?

Nuk është etike t’i them emrat e tyre. Kam pasur disa oferta në Spanjë, Greqi, Zvicër si dhe kam refuzuar skuadra në Serinë B.

Pse kaq shumë refuzime?

Të them të drejtën, nga gjendja ekonomike ishin oferta që lënë për të dëshiruar. Sigurisht i mirëkuptoj edhe për shkak të pandemisë që ka ndikuar. Megjithatë, duke mos qenë në nivelet që unë mendoja, opsioni më i mirë ishte ky i Bolivarit. Me dy vite kontratë, më kanë plotësuar të gjitha kushtet në aspektin ekonomik, nga ato që kërkoja unë dhe prandaj pranova.

Çfarë reagimesh pati familja për këtë vendim?

Normalisht që edhe familja u mërzit sepse është shumë larg këtu ku kam ardhur. Megjithatë, më mirëkuptuan. Është një mundësi dhe eksperiencë e re për mua. E kam marrë me pozitivitet. Në fakt, shumë njerëz më kanë thënë “Ç’do që ikën të luash aq shumë larg?”. Kjo është një eksperiencë e re për mua dhe e rëndësishme është që trajneri dhe drejtuesit më njohin dhe më kanë pritur shumë mirë. kjo gjë më bën të lumtur, që kanë besim tek aftësitë e mija.

E keni menduar se transferimi në Bolivi mund t’ju pengojë për Kombëtaren?

Nuk besoj për këtë gjë sepse jam në një nga klubet më të mira të Bolivisë. Bolivar është shumë serioz, pjesë e “City Group” një agjenci shumë e madhe në të gjithë botën. Ne marrim pjesë në Kupën e Libertadores… Në qoftë se unë do të paraqitem mirë, nuk besoj se do të kem problem që të vij në Kombëtare.

sadiku-bolivar-750x430-1-730x440

A keni biseduar me trajnerin Reja ose ndonjë prej stafit të tij?

Jo.

Keni jetuar në disa shtete të ndryshme. Çfarë ju ka bërë përshtypje në Bolivi?

Kam qenë në shumë shtete të tjera në Europë, por kurrë nuk jam larguar kaq larg. Është një eksperiencë e re. Unë mund të kisha shkuar në një ekip në Spanjë dhe do të ishte e njëjta rutinë… Më erdhi një mundësi, edhe nga gjendja ekonomike shumë e mirë, kështu që një shtet i ri që të zbuloj dhe kam fatin që e pata këtë ofertë. Njerëzit këtu janë shumë të dashur. Janë shumë të mirë, të qetë dhe të sjellshëm. Në qytetin ku jam, ka shumë gjëra për të vizituar për të huajt duke qenë se është qytet turistik. Jam prej një kohe të shkurtër dhe jam duke e njohur ngadalë qytetin dhe çdo gjë këtu.

Po ushqimi, është problem dhe a jeni ambientuar?

Jo, fare! Në zonën ku jetoj unë dhe të gjithë lojtarët, trajneri dhe stafi, është një zonë shumë e bukur dhe ka shumë restorante spanjollë apo italianë. Për më tepër, klubi është shumë i organizuar dhe ne mëngjesin dhe drekën e konsumojmë në restorantin e klubit. Ndaj vetëm darka mbetet dhe jam shumë i kënaqur që pranë shtëpisë, kam disa mundësi zgjedhjeje.

Ju debutuat me dopietë dhe asist, çfarë komentesh bënë në skuadër për 30 minutat tuaja të para në fushë me Bolivar?

Kisha vetëm tre ditë që kisha mbërritur në Bolivi nga Turqia. Kisha bërë vetëm stërvitje veçmas dhe pothuajse asnjë stërvitje me skuadrën. Në atë ndeshje, luajta 30 minuta dhe bëra dy gola dhe dhashë një asist. Të gjithë më përgëzuan, trajneri, drejtuesit dhe shokët e ekipit. Realisht më pritën shumë mirë sepse aty si të thuash ishte prezantimi im. Pasi deri në atë moment nuk më njihnin shumë. Me ato dy gola, të gjithë krijuan një opinion të mirë për mua dhe them se e kam nisur me këmbë të mbarë…

Si e keni parë shortin e Kombëtares?

Na pret një grup i vështirë. Përballë do të kemi Anglinë dhe Poloninë, që janë skuadra shumë të forta. Pa harruar as Hungarinë apo faktin që edhe pikët me dy skuadrat e tjera nuk i kemi të garantuara. Megjithatë, na duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. T’i përgatisim me kujdes dhe shumë seriozisht, që nga ndeshja e parë. Besoj se mund të kemi edhe ne shanset tona, nëse luajmë si ekip, kompakt, të gjithë bashkë.

sADIKU ARMANDO

Ish-kapiteni Mavraj është shprehur: “Më dhimbsen sulmuesit e Kombëtares, sepse loja e Shqipërisë i detyron të mbrojnë shumë”. Ju si jeni ndier, çfarë përgjigjeje keni?

Në momentin që ke përballë një ekip të madh, edhe sulmuesi duhet të mbrojë. Në të kundërt, nuk ke shanse me ekipe si për shembull Anglia apo Polonia me të cilat do të përballemi në vijim. Kështu që, duhet të mbrojmë mirë, të gjithë. Edhe ato pak shanse që i kemi, më pas duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum. Megjithatë, nuk duhet të jetë ky një justifikim për ne. “Sulmuesi të dhimbset?” Si të them, sulmuesi duhet të vrapojë shumë. Aq më tepër në ndeshje të vështira. Në ato që i konsiderojmë “ndeshje të lehta”, duhet që sulmuesi t’i shfrytëzojë në maksimum rastet, edhe kur janë të shumta. Mendimi im është që ne nuk duhet të kemi justifikime e të themi se sulmuesit lodhen apo vrapojnë që të mbrojnë. Jo! Në futbollin e sotëm, në futbollin modern, të gjithë sulmuesit vrapojnë shumë për ekipin.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"